Maqedoni

Analistët: pa ndërhyrjen amerikane nuk zgjidhet kriza

16.04.2015 15:58

Pa ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk pritet zgjidhje e shpejtë e krizës politike...

Kështu e vlerëson analisti politik, Ismet Ramadani, vizitën e zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hojt Ji. Ai pret që diplomacia amerikane të jetë më e drejtpërdrejtë në lidhje me zgjidhjen e krizës.
 
“Mendoj se dalëngadalë po hyn procesi në binarë të duhur për ta zgjidhur problemin. Pa ndërhyrjen e SHBA-ve nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje efektive e shpejtë dhe përmbajtësore e problemit, prandaj mirë është që administrata amerikane ka dërguar përfaqësuesin e vet. Ai me siguri se në stilin amerikan, në kërkesa gjatë bisedimeve do të jetë më i qartë, më i drejtpërdrejtë zatën për të kryer punën më shpejt, ashtu duhet të veprohet këtu”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Për sa i përket bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel midis përfaqësuesve të forcave politike, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së lidhur me krizën politike në vend, Ismet Ramadani thotë se pret që ky dialog të mundësojë gjetjen e mekanizmave për zgjidhjen e krizës politike.
 
“Vetë fakti se janë ulur në bisedime për fillim mund të merret se është sinjal i mirë, sepse sado kudo në atë nivel është vendosur një dialog me ndërmjetësues dhe kuptohet se ai dialog hap rrugë që të shkohet në brendi të problemit dhe në brendi të problemit do të gjinden mekanizma tjerë për të arritur ndonjë marrëveshje”- tha analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Ramadani nënvizon se ka ende mjaft punë, por duhet shpresuar se do të ketë një epilog në të mirën e qytetarëve dhe shtetit.
 
Sipas tij, dialogu duhet të përmbyllet me një zgjidhje politike dhe më pas edhe juridike, ndërsa nuk i përjashton edhe zgjedhjet e parakohshme në një afat të caktuar.
 
NAIM RAMADANI