Maqedoni

VLEN-i promovuan projektin “Kalojmë në vepër”

21.06.2024 15:20

Koalicioni VLEN paralajmëron angazhim të fuqishëm në Qeveri, në prag të votimit të Qeverisë së re....

Koalicioni VLEN paralajmëron angazhim të fuqishëm në Qeveri, në prag të votimit të Qeverisë së re. Ministrat e ardhshëm të këtij koalicioni promovuan projektin “Kalojmë në vepër”, duke pasur në fokus qytetarët. Nisur nga Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë i ardhshëm, si dhe ministër i Ekologjisë, si dhe ministrat e tjerë të propozuar paralajmëruan reforma, ndërkaq të drejtat e shqiptarëve thanë se do të mbrohen me Kushtetutë dhe Marrëveshjen e Ohrit. Eurointegrimet njëkohësisht do të jenë top prioritet duke përmbushur ndryshimet kushtetuese dhe një valë reformash paraprake.

“Deri sa të miratohen ndryshimet kushtetuese për futjen e malazezëve, kroatëve dhe bullgarëve në preambulën kushtetuese, për çka ne si VLEN nuk kemi dilema se duhet të bëhen. Ne nuk do të ndalemi dhe të presim, por do të fokusohemi me gjithë energjinë në futjen e standardeve evropiane për transformimin e vendit tonë për të mirë.”, - deklaroi ministri i ardhshëm për Eurointegrime, Orhan Murtezani.
 
Arben Taravari tha se numrat për ndryshimet kushtetuese ekzistojnë, por nevojitet edhe një koordinim i mirë midis Shkupit dhe Sofjes. Do të kërkohet heqja e 20% dhe largimi i Maqedonisë nga Ballkani i Hapur. Taravari numëroi edhe prioritetet e tij për shëndetësinë.
 
“Kemi disa zjarre që duhet të shuhen, flas për disfunksionimin e kompresorit për sallat e operacionit në pavijonin e kirurgjisë në qendrën klinike “Nënë Tereza”. Prej ditës së parë, nëse është dita e hënë, do të shkarkohen të gjithë drejtorët ekonomik, të cilët janë ushtrues detyre.”, - theksoi ministri i ardhshëm i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Aktivitetet do të përqendrohen edhe në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, kthimin e besimit në gjyqësor, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e komunave.
 
“Ne do të sigurojmë që shërbimet sociale do të jenë të aksesueshme për të gjithë qytetarët dhe të adresojmë nevojën e tyre në mënyrë efektive dhe të drejtë, përmirësim i kushteve të jetesës për të rinjtë.”, - u shpreh ministri i ardhshëm për Politikë Sociale, Demografi dhe Rinisë, Fatmir Limani.
 
“Sektorit privat në vend do t’i japim një mbështetje të madhe duke filluar nga lehtësimi i procedurave administrative, krijimin e një konkurrence të ndershme, eliminimin e procedurave burokratike.”, - deklaroi ministri i ardhshëm për Ekonomi dhe Punë, Besar Durmishi.
 
Bilall Kasami paralajmëroi decentralizimin e plotë të komunave dhe për zhvillimin e tyre, për vitin 2024 do të ndahen mbi 100 milionë euro. Për një pako të re legjislative foli zëvendësministri i propozuar për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, që do të përfshijë kod të ri penal dhe riorganizimin e sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
 
MERAL ISMAILI