Botë

Ballkani Perëndimor, disa vende përballen me ndërprerje të rrymës

21.06.2024 16:06

Shumë qytete në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci janë përballur sot me ndërprerje të energjisë elektrike....

Shumë qytete në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci janë përballur sot me ndërprerje të energjisë elektrike.
 
Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri tha se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë.
 
“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin.", tha OST-ja përmes një njoftimi, duke shtuar se po merren masa për rikthimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.
 
Sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi njoftoi përmes një postimi në Fejsbuk se ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi është pa rrymë. Edhe Kroacia njoftoi se disa pjesë të vendit janë përballur me ndërprerje të rrymës. Operatori i Pavarur i Sistemit në Bosnje e Hercegovinë tha se “nuk ishte e mundur të parandalohej kolapsi i sistemit të energjisë elektrike” në këtë shtet. Probleme me rrymë nuk janë raportuar në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.