Maqedoni
Konferencë rajonale në Shkup, papunësia problem në tërë rajonin
16.04.2015 16:05
Sfida e vendeve të Ballkanit është hapja e vendeve të reja të punës, ekonomia më stabile dhe më e zhvilluar...

Sfida e vendeve të Ballkanit është hapja e vendeve të reja të punës, ekonomia më stabile dhe më e zhvilluar, të cilat mund të ulin papunësinë dhe varfërinë në Ballkan, konstatuan përfaqësuesit e konferencës rajonale në Shkup, në temën ”Krijimi i vendeve të punës për nxitjen e barabarësisë dhe prosperitet”.
Ata shkëmbyen përvojat e tyre dhe konstatuan njëzëri se për ta ulur papunësinë duhet përgatitur përgjigje globale.
“Sfida me të cilën tentojmë të ballafaqohemi është tmerruese, por profesionaliteti, përvoja e punës dhe përkushtimi, i cili është prezent sot në këtë ambient, na jep shpresë se me një bashkim të ideve dhe të resurseve do të mund të depërtojmë në rrugën drejt një të ardhme optimiste. Punësimi dhe puna e ndershme janë shtyllat e qëllimeve të reja zhvillimore, kështu që puna jonë drejtpërsëdrejti do të kontribuojë edhe në agjendën botërore pas 2015-së”- deklaroi këshilltarja e lartë në KB, Xhihan Sultandohlu.
“Hapja e vendeve të reja të punës është sfidë globale që kërkon përgjigje globale nga të gjithë. Hulumtimet e Organizatës Botërore të Punës tregojnë se mbi 201 milion njerëz gjatë vitit 2014 kanë qenë të papunësuar, ndërsa ky numër i të papunësuarve në vitin 2015 është në rritje e sipër”- tha Hajnc Koler nga Organizata Botërore e Punës.
Në vendet e rajonit, një pjesë e madhe e të papunësuarve janë persona në moshë të re, më pas vijojnë gratë të papunësuara dhe personat me nevoja të veçanta, vlerësuan përfaqësuesit. Në Kosovë numri i të papunësuarve është rritur pothuajse në 35 për qind.
“Marrim dhe do të shkëmbejmë përvoja njëra me tjetrën për të dalë nga kjo situatë sa më shpejt dhe sa më mirë në uljen e papunësisë, uljen e varfërisë dhe të ecim përpara për ditë më të mira për punëkërkuesit. Është mosha e re që janë pa punë, duke pasur parasysh se në Kosovë është një moshë e re për tregun e punës. Çdo vit hyjnë nga 30 mijë të rinj në tregun e punës, ku është e pamundur të bëhen gjithë ato punësime”- theksoi drejtori i Departamentit të Punës dhe Punësimit në Kosovë, Defrim Rifaj.
“Nëse synojmë për rritjen e vendeve të reja të punës, atëherë duhet t’u afrohemi nevojave të punëdhënësit dhe nevojitet të gjitha institucionet të jenë sa më transparente dhe të merren parasysh propozimet dhe sugjerimet e tyre për rritjen e punësimeve”- u shpreh ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Dime Spasov.
Konferenca rajonale do të organizohet deri më 17 prill dhe në të marrin pjesë përfaqësues të mbi 10 vendeve të Ballkanit.
REXHEP QAMILI
