Maqedoni
Vitin e kaluar, 106 parashtresa për diskriminim
16.04.2015 16:08
Në vitin 2014 ka pasur një rritje të parashtresave për diskriminim, për dallim nga vitet e kaluara...

Kjo është bërë e ditur në raportin e Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili bën të ditur se janë paraqitur 106 ankesa për diskriminim.
Nga parashtresat e përpunuara, në 34 prej tyre është konstatuar se nuk ka diskriminim, ndërsa në 5 raste është konstatuar se ka diskriminim të drejtpërdrejtë dhe në 2 raste është konstatuar se ka shqetësim.
Numri më i madh i parashtresave janë për fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës.
“Problemet në diskriminim më së shpeshti hasen në sferën e punës, pra në marrëdhëniet e punës, mirëpo në lidhje me bazat e diskriminimit nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Pra, bëhet fjalë për diskriminim në bazë të përkatësisë etnike, në bazë të statusit personal dhe social, në bazë të moshës, ashtu që i kemi të përfshira rrënjësisht të gjitha bazat, por këto hasen më së shpeshti”- deklaroi kryetari i KMD-së, Dushko Minovski.
Komisioni për Mbrojtje ndaj Diskriminimit e ka zënë vendin e tij të rëndësishëm në shoqëri dhe është i vetmi autoritet që e lufton diskriminimin, shprehet anëtari i komisionit, Agim Nuhiju.
“Komisioni për Mbrojtje ndaj Diskriminimit, gjatë katër viteve të funksionimit të vet ka arritur që të institucionalizojë edhe barazinë formale edhe barazinë substancionale, që i referohet barazisë së mundësive dhe të shkaseve të barabarta, po ashtu ka ngritur edhe qëndrimin se shteti dhe institucionet e shtetit në fushën e mbrojtjes nga diskriminimi ka edhe detyrime pozitive edhe detyrime negative se si duhet të sillet në situata të caktuara personi që përfaqëson organin shtetëror”- tha anëtari i KMD-së, Agim Nuhiju.
Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi sot i prezantoi edhe konstatimet e hulumtimit për segregacionin e fëmijëve romë në procesin arsimor.
ERSAN PAJAZITI
