Strugë, sezoni veror përmbush pritshmëritë e hotelierëve
Fillimi i sezonit veror në Liqenin e Ohrit...
Fillimi i sezonit veror në Liqenin e Ohrit ka përmbushur pritshmëritë e larta të hotelierëve dhe punëtorëve të turizmit. Që nga muaji maj, një numër i madh i turistëve të huaj kanë vizituar vendin, ndërsa ka rezervime të shumta edhe për periudhën në vazhdim.
Hotelierët thonë se sezoni veror në Strugë po bëhet gjithnjë e më i mirë, ndërsa pritet që edhe ky sezon të shënojë rekord të ri.
“Në hotelin tonë ka filluar ardhja e turistëve prej muajin e kaluar, dmth pranvera ka filluar te ketë grupe të ndryshme, edhe normalisht që presim edhe pjesëm e verës të jetë e mbushur me turistë ashtu siç është në fakt. Pritshmëritë kanë qënë të larta dhe janë plotësuar poashtu edhe normalisht edhe për kulmin e sezonit veror janë shumë të larta por në bazê të atyrë që kemi parë dhe rezervimeve që kanë bërë deri më tani duket se është në rregull.” – tha Ardi Zhuta, punonjës në hotel.
Çdo vit e më shumë Liqeni i Ohrit po vizitohet nga turistë të huaj që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Ka turistë të shumtë nga Hollanda, Polonia, Turqia por edhe vende tjera të largëta si dhe të rajonit. Ndërsa të përhershëm janë mysafirët nga Kosova dhe Shqipëria.
“Ka turistë nga gjithë vendet e ndryshme, ndoshta duket e pabesueshme por vijn njerëz nga Turqia, nga Taivani kemi pasur plot mbi 10 grupe qe kanë ardhur kanë vizituar vendin tonë. Nga ana tjetër ka pasur edhe vizitorë nga Bullgaria, nga Greqia, mos të përjashtojmë edhe Shqipërinë dhe Kosovën që tashmë I kemi njerëz të rregullt dhe klient të rregullt.” – u shpreh Zhuta.
Sipas hotelierëve, turistët e huaj pëlqejnë Strugën për bukuritë që ka, por edhe për ushqimet, shërbimin dhe mikpritjen.
Nga ana tjetër, megjithëse sezoni veror po arrin kulmin e turizmit në Liqenin e Ohrit, mungesa e punëtorëve në sektorin e hotelierisë dhe ikja e punëtorëve lokal drejt vendeve tjera, vazhdon të mbetet një problem.
Por ndryshe nga Ohri, ku një pjesë e madhe e objekteve gastronomike tashmë kanë kontraktuar punëtorë nga vendet e largëta si India dhe Filipinet, në Strugë ende nuk vërehet një problem i tillë, hotelierët thonë se ende ka punëtorë lokal të cilët kanë vullnet të punojnë. (Ilmije Zhaku, TVM2)