Kuvend, Mickoski prezantoi programin e Qeverisë së re
Kuvendi ka nisur seancën për zgjedhjen e qeverisë së re...

Kuvendi ka nisur seancën për zgjedhjen e qeverisë së re. Kryeministri i ardhshëm Hristijan Mickoski, prezantoi programin e ri të qeverisë e para deputetëve. Ai u tha të pranishmëve se është koha për të përveshur mëngët dhe për të filluar zgjidhjen e problemeve në vend.
Qeveria e re sipas tij ka si prioritet sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Për të martën paralajmëroj investim të ri prej më shumë se 400 milion euro, pastaj do ti ulim tatimet, rrisim pensionet, sigurojmë para për projekte kapitale. Mjaft kohë është shpenzuar për tema të shpikura dhe çështje etnike, tani është koha të zgjidhen problemet dhe kjo të jetë qeveri e ekonomisë dhe zhvillimit. Këtë e duan të gjithë, qëllimi ynë prijës është të ripërtërijmë besimin në institucionet, në pushtetin shtetëror, të eliminojmë korrupsionin dhe të sigurojmë sundimin e së drejtës. Vend qendror në misionin tonë zë ringjallja ekonomike.” – tha mandatari i ri, Hristijan Mickoski.
“Gjithçka që jepet si premtim, gjithçka që është dorëzuar si propozim edhe para parlamentit, por edhe opinionit është diçka larg premtimeve dhe pritjeve të cilat u’a keni dhënë qytetarëve para zgjedhjeve, në periudhën zgjedhore, dhe thjesht mendoj se gjithçka që duhet realizuar, nuk është vendosur në programin për qeverinë e re.” - u shpreh deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.
“Kolegë të LSDM-së, ju që u delegjitimuat në zgjedhjet e fundit, të delegjitimuar nga populli, nga anëtarësia juaj dhe votuesit e juaj paraprakisht. Si pasojë e politikave të dëmshme që keni bërë vitet e kaluara dhe mezi I’u kaluan bartësit e listave dhe shoqëruesit e shpikur të listave. Unë do të doja që këtu të kemi opozitë të fuqishme sikur ishim në mandatin e kaluar, jo opozitë e cila do të hesht dhe mjaullijë.” – tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Zhaklina Peshevska.
“Kjo qeveri rrugëtimin politik e ka të gabuar, për mbrapsht deh padyshim do rrugëtojë në një drejtim I cili do ti kushtoj çmim Maqedonisë së Veriut. Këtë e them duke u bazuar në tre dimenzione. E para: ofrohet prishje të ekuilibrit ndëretnik; e dyta: majorizimi ndaj shqiptarëve dhe etniteteve të tjera dhe e treta është ngadalësimi dhe bllokimi i rrugës, integrimit në BE.” – deklaroi Skender Rexhepi – Zejdi, nga Fronti Europian.
“Sa i përket përfaqësimit të ministrive, dua t’iu njoftoj se ju si Front Evropian keni qenë të gatshëm të participoni në qeveri me katër ministra, edhe atë pa kryetarin e parlamentit. Sa i përket rasteve të montuara, kemi pasur mundësinë gjatë kohë ti zgjidhni si çështje, por këtë punë asnjëherë nuk e keni bë dhe nuk keni marrë as iniciativë e vetme për të zgjidh një problem të vetëm” – theksoi Rijad Shaqiri nga VLEN. (Meral Ismaili, TVM2)
