Kuvend, debat për votimin e Qeverisë, Mickoski
Debat i gjatë me përplot kundërshtime...

Debat i gjatë me përplot kundërshtime dhe akuza ka vijuar seanca për votimin e qeverisë së re. Mandatari Hristijan Mickoski në ekspozenë e tij tha se do të startojnë fuqishëm që nga dita e parë, me shumë investime dhe projekte ekonomike duke pasur në fokus qytetarin pa bërë kurfarë dallimesh, të ripërtërijë besimin në institucione, eliminojmë korrupsionin dhe të sigurojmë sundimin e së drejtës.
“Për të martën paralajmëroj investim të ri prej më shumë se 400 milion euro, pastaj do ti ulim tatimet, rrisim pensionet, sigurojmë para për projekte kapitale. Mjaft kohë është shpenzuar për tema të shpikura dhe çështje etnike, tani është koha të zgjidhen problemet dhe kjo të jetë qeveri e ekonomisë dhe zhvillimit.” – tha mandatari i ri, Hristijan Mickoski.
Nuk munguan as përplasjet midis deputetëve shqiptarë të dy koaliconeve VLEN dhe Frontit Evropian. Deputeti Sadulla Duraku nga BDI kontestoi ministrat e propozuar, me theks të veçantë ministrin për sistem Stoillkoviç, duke e konsideruar si destabilizues të shtetit.
Nga Fronti Evropian kundërshtuan edhe legjitimitetin e përfaqësimit shqiptarë në qeveri. Pasuan kundërqëndrime nga VLEN.
“Ti nuk e respekton votën e qytetarit tënd, mos mendosh që do ti nderosh bashkëqytetatët maqedonas me këtë çështje. Ai që se nderon vetveten dhe komunitetin e vet shqiptarë, nuk mund ti nderon edhe të tjerët.” – u shpreh Blerim Bexheti nga Fronti Europian.
“BDI gjatë 2016-ës fitoi 86 mijë vota, askush nuk e kontestoi legjitimitetin. BDI 2020-ën fitoi 104 mijë vota, askush nuk e kontestoj legjitimitetin. VLEN-i 2024-ën fitoi 107 mijë vota më shumë se BDI edhe 2016-ën edhe 2020-ën. E tani nëse formon një koalicion multi nacional, atëherë nuk mund të thiresh në legjitimitetin shqiptar zotëri Bexheti.” – deklaroi Halil Snopçe nga VLEN.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, iu drejtua Mickoskit se do të trashëgojë një shtet të zhytur në borxhe. Por nga LSDM kërkuan projekte konkrete për avancimin e ekonomisë.
“Në buxhet do të gjeni një vrimë të madhe financiare dhe borxhe të mëdha. Do të ndesheni me kaos në ELEM dhe krim në dogana. Do të trashëgoni arsim dhe shëndetësi në gjëndje kome që ju me shumë mund duhet ta ktheni në normalitet.” – theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
“Premtimet deklarative nuk mjaftojnë që t’iu besojnë qytetarët. Ata presin masa konkrete, plane të qarta dhe afate për realizim, dhe këtë për fat të keq nuk e keni propozim program. Nuk keni përgjigje se çka konkretisht do të ndodh me pagat e qytetarëve, cila do të jetë fuqia e tyre blerëse në vitin 2028-të. ju vetë jeni të pasigurt në pjesën ekonomike të programit.” – u shpreh Fatmir Bytyçi nga LSDM.
Debati për votimin e qeverisë vazhdon edhe të dielën, pasi numri i deputetëve të paraqitur për fjalë shkon në 60-të. (Meral Ismaili, TVM2)
