Maqedoni

“Bomba” e XXI, keqpërdorimet e pushtetit në Ohër

16.04.2015 16:13

E vërteta për Ohrin ishte tema e “Bombës” së 21 të opozitës, të cilën e shpalosi Tomisllav Tuntev, kryetar i degës së LSDM-së në Ohër...

Tuntev, tha se nga një bisedë e përgjuar dëgjohet se si shefi i kabinetit të kryeministrit Gruevski, Martin Protuger, së bashku me gazetarin e Televizionit Sitell, Dragan Pavlloviç Llatas, kanë kurdisur një material komprometues për drejtorin e një gjimnazi të qytetit të Ohrit në lajmet kryesore të këtij televizioni, vetëm për shkak se ai është vendosur nga ish kryetari i Komunës së Ohrit.
 
Sipas LSDM-së, në një audio-xhirim dëgjohet se si Martin Protuger së bashku me ministren e brendshme, Gordana Jankullovskën, bisedojnë për të angazhuar persona problematik dhe struktura paramilitare në qytetin e Ohrit.
 
“Kjo është vetëm një pjesë e vogël e së vërtetës për Ohrin dhe Maqedoninë. Ju ftoj që bashkërisht të luftojmë për ardhmërinë e Maqedonisë dhe të mos lejojmë që kjo e keqe të përsëritet. Ne do vazhdojmë”- u shpreh Tomisllav Tuntev nga LSDM.
 
Sipas socialdemokratëve, një bisedë tjetër dëshmon se si shefi i kabinetit të kryeministrit, Martin Protuger, ka blerë tokë shtetërore në pronësi të Maqedonisë në rajonin e Ohrit me një çmim qesharak prej disa eurove.
 
Tuntev, tha se nga bisedat e përgjuara telefonike dëgjohet se si Protuger i tregon ministrit të Transportit, Mile Janakievskit, se e ka blerë tokën shtetërore përmes Ministrisë së Financave, duke e privatizuar tokën përmes një firme të huaj fiktive dhe më pas ka plane që ta shesë. 
 
SANIJE KASAMI