Maqedoni
Ahmeti: dialogu politik në Bruksel duhet të intensifikohet
16.04.2015 16:15
Dialogu politik në Bruksel duhet të intensifikohet dhe avancohet sa më parë në mënyrë që kriza politike në vend të tejkalohet...

Kështu vlerësoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas të cilit: “Komisioni Evropian duhet të kuçet drejtpërdrejt, duke paracaktuar agjendën për palët e përfshira, por njëkohësisht edhe të monitorojë procesin gjyqësor që do të garantojë kredibilitetin dhe besueshmërinë nga të gjitha palët”.
Kryetari Ahmeti gjithashtu theksoi se Uashingtoni mund të luaj rol konstruktiv në inkurajimin e palëve për t’u angazhuar në drejtim të tejkalimit të krizës politike.
“BDI është parti e përgjegjshme dhe vepron për interesa të përgjithshme të qytetarëve dhe të shtetit, duke u përcaktuar që të jetë pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit. Kriza politike po cenon pritjet e qytetarëve për një Maqedoni stabile, të sigurt, të integruar në NATO dhe duke negociuar për anëtarësim në BE, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, si dhe me kushte optimale për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Partitë politike duhet të bëjnë çmos që të fokusohen në realizimin e pritjeve të qytetarëve, por edhe të demonstrojnë gatishmëri për të garantuar stabilitet dhe kapacitet demokratik të institucioneve të vendit që të përballen me krizën politike”- tha Ahmeti.
Këto vlerësime, siç njoftojnë nga kabineti i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, i ka bërë në takimin me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav, me të cilin diskutuan për situatën aktuale politike në Maqedoni, dialogun politik, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Qëndrimet e lartpërmendura Ahmeti pritet t’ia përcjell edhe zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hojt Ji, në takimin i cili po zhvillohet aktualisht në vazhdim.
BESA JASHARI
