Maqedoni
Fakulteti i Shkencave Islame, prej tetorit me akreditim të plotë
16.04.2015 16:49
Këshilli për Akreditim dhe Evaluim të Arsimimit të Lartë të Republikës së Maqedonisë ka marrë vendim për akreditimin e programit studimor “Studime islame”...

Këshilli për Akreditim dhe Evaluim të Arsimimit të Lartë të Republikës së Maqedonisë ka marrë vendim për akreditimin e programit studimor “Studime islame”, me kohëzgjatje katërvjeçare, në ciklin e parë të studimeve-deridiplomike, pranë Fakultetit të Shkencave Islame–Shkup.
Është hera e parë pas 20 viteve që nga themelimi që ky fakultet do të punojë si fakultet i akredituar. Dje edhe zyrtarisht Fakulteti i Shkencave Islame është njoftuar për akreditimin.
“Vitin e ardhshëm akademik 2015/2016, Fakulteti i Shkencave Islame starton me programin e ri dhe i akredituar me 240 kredi. Kjo paraqet një sukses para së gjithash të gjithë faktorëve që ishin të kyçur në realizimin e projektit, i cili detyrimisht nga perspektiva e akteve normative duhej të kompletohet dhe kjo kërkoi një periudhë kohore deri sa të implementohet në rrafshin praktik”- deklaroi dekani i FSHI-së, Fahrudin Ebibi.
Në rrethanat e reja, pas akreditimit të përkohshëm, sidomos pas vitit 2007/2008, Fakulteti i Shkencave Islame – Shkup për studentët dhe mësimdhënësit ka siguruar kushte sipas standardeve bashkëkohore, për veprimtari edukative-arsimore dhe kërkimore-shkencore.
Fakulteti i Shkencave Islame–Shkup është themeluar nga Bashkësia Fetare Islame e RM-së dhe për të parën herë veprimtarinë e saj akademike e ka filluar në vitin akademik 1997/98.
FARIJE DAUTI-BAKIU
