Maqedoni

Sanohen dëmet nga moti i ligë në Shkup dhe Tetovë

24.06.2024 11:33

Në rajonin e Shkupit dhe Tetovës po sanohen dëmet nga stuhia e djeshme e shoqëruar me erë...

Në rajonin e Shkupit dhe Tetovës po sanohen dëmet nga stuhia e djeshme e shoqëruar me erë, shi dhe breshër. Janë raportuar dëme për shtëpi të vërshuara, bodrume, garazhe, rrugë, dru të rënë, automobila të dëmtuara.

Qendra për Menaxhim me Kriza sot në mëngjes njoftoi se në rajonin e Tetovës në terren janë 22 zjarrfikës me 15 pompa dhe mekanizëm të plotë. Në etapa pastrohen të gjitha bodrumet, garazhet, shtëpitë, objektet dhe sipërfaqet e vërshuara. Akset rrugore në këtë rajon janë të kalueshme, por në disa rrugë ka baltë, rërë, gurë dhe materiale të tjera, të cilat e ngadalësojnë dhe vështirësojnë komunikacionin. Dalëngadalë po rregullohet edhe situata me energjinë elektrike, me çka është marrë informacion nga QMK-ja se në pjesën më të madhe popullata ka energji elektrike.
 
Në Shkup deri në mëngjes janë pranuar 42 denoncime për dru të rënë në shumë lokacione në qytet për çka janë njoftuar ekipet kujdestare në NP “Parqet dhe Gjelbërimet”, Qyteti i Shkupit dhe NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Janë raportuar katër raste për probleme me furnizimin me energji elektrike, prej të cilëve një për transformator në Zelenikovë dhe shtylla të rëna. 
 
Përveç motit të ligë, gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar edhe 15 zjarre prej të cilëve dy ende janë aktivë. Bëhet fjalë për zjarre në komunën Novo Sellë, në vendin Haxhiicë në Bellasicë, në afërsi të kufirit shtetëror, ku po digjet pyll ahu.