Botë

Netanjahu: Lufta me Hamasin, drejt fundit

24.06.2024 11:49

Luftës kundër Hamasit në Rripin e Gazës po i vjen fundi....

Luftës kundër Hamasit në Rripin e Gazës po i vjen fundi. Është kjo deklarata e bërë nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, për mediat izraelite. Por, sipas Netanjahut, lufta nuk do të përfundojë deri në momentin kur grupi islamik militant të mos ketë më në kontroll enklavën palestineze.
 
“Pasi të përfundojë faza intensive, ne do të kemi mundësinë të zhvendosim një pjesë të forcave në veri. Dhe këtë do ta bëjmë. Para së gjithash për qëllime mbrojtëse. Dhe së dyti, për të sjellë banorët tanë në shtëpi. Nëse mundemi, ne do ta bëjmë këtë në mënyrë diplomatike, do ta bëjmë në një mënyrë tjetër, por do t'i sjellim të gjithë banorët në shtëpi.”, shtoi Netanjahu.
 
Ndërkohë 8 palestinezë janë vrarë si pasojë e një sulmi ajror izraelit në një kolegj stërvitor pranë qytetit të Gazës që përdorej për shpërndarjen e ndihmave, ndërsa tanket izraelite vijonin më tej ofensivën në qytetin jugor të Rafahut. Ushtria izraelite fajëson militantët e Hamasit për përdorim të civilëve për qëllime ushtarake duke i nxjerrë në vijën e luftës, por kjo e fundit e mohon një fakt të tillë. Sakaq, rritja e rrezikut për një luftë totale midis Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin, ka shtuar shqetësimet tek Shtetet e Bashkuara, të cilat besojnë se në rast të një përshkallëzimi, Irani do të jetë pjesë e konfliktit si sponsorizuesi kryesor i Hezbollaut, nëse ekzistenca e këtij të fundit kërcënohet.