Maqedoni

Debat “Çfarë servisi publik i duhet Maqedonisë”, ShGM anashkalon TVM2, programin në gjuhën shqipe

16.04.2015 17:24

Debati i organizuar nga ShGM-ja mbi temën “Çfarë servisi publik i duhet Maqedonisë”, shkaktoi debat të nxehtë mes përfaqësuesve të ShGM-së...

Debati i organizuar nga ShGM-ja mbi temën “Çfarë servisi publik i duhet Maqedonisë”, shkaktoi debat të nxehtë mes përfaqësuesve të ShGM-së, TVM-së, Forumit të Gazetarëve, gazetarëve dhe përfaqësuesve të tjerë.
 
Me këtë rast, kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, tha se janë të nevojshme ndryshime drastike të Ligjit për Punë Audio dhe Audio-vizuale, prej ku do të parashihej burim i qëndrueshëm i të ardhurave dhe ndryshim të mënyrës në emërtimin e organeve drejtuese.
 
Ai tha se TVM po ballafaqohet me sfida serioze, për të cilat përgjegjëse është qeveria aktuale dhe të tjerat paraprake.
 
“Numri më i madh i vërejtjeve të shoqatës për Ligjin për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale ishin të përkushtuara për TVM-në. Qeveria vërejtjet më të rëndësishme nuk i pranoi dhe pyetjen për reforma në TVM e la për më vonë. Me marrëveshjen e pjesërishme me ShGM-në, në fund të vitit 2013, i mbështetur nga Komisioni Evropian, qeveria u obligua që brenda 6 muajve do të gjejë burim të qëndrueshëm të të ardhurave për TVM-në, për këtë qëllim u formua edhe grup punues, ku mori pjesë përfaqësuesi i ShGM-së. Vetëm SHGM-ja propozoi mënyrë të re të financimit të servisit publik, ku qeveria pa asnjë arsyetim e hodhi poshtë propozimin tonë”- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.                        
                                                                                                 
Kryeredaktori i TVM1, Dime Ratajkovski, tha se nuk pajtohet me qëndrimin dhe të dhënat që ka ShGM-ja rreth punës së servisit publik.
 
“Sulmin që në kontinuitet i jep politika TVM–së në 20 vitet e kaluara u tregua jo i fuqishëm për shkatërrim të tërësishëm të bërthamës gazetareske, por përkundrazi, servisi publik i mbijetoi dhe ende i përjeton në këmbë të gjitha kritikat dhe akuzat për punën e saj”- theksoi kryeredaktori i TVM1, Dime Ratajkovski.  
                                                               
Në këtë debat, ShGM-ja nuk e pa të arsyeshme të ftojë përfaqësues nga TVM2, programi në gjuhën shqipe, duke e mohuar kështu të drejtën dhe mundësinë që publiku të informohet për qëndrimet e atyre që realizojnë politikën redaktuese në këtë program.
 
Por, Selmani nuk bëri dallim mes këtyre dy programeve, duke vlerësuar se dy programet janë në linjë të njëjtë.
 
Një konstatim i tillë u mohua nga  pjesëmarrësit e tjerë në debat.
 
“Sinqerisht të ju them, nga përvoja që kam nga komunikimi i deritanishëm me TVM-në, program i parë dhe i dytë janë në linjë të njëjtë kështu që….Të gjitha problemet që i kam diskutuar me ta, zëvendësdrejtori dhe njerëzit që janë atje ishin në pozitë të ngjashme, kështu që kjo mund të jetë lëshim, mundet herën tjetër”- u shpreh kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.                                                                 
Ndryshe mendon komunikologu, Sefer Tahiri, i cili vlerëson se për debat të mirëfilltë rreth punës së TVM-së janë të nevojshëm edhe përfaqësuesit e programeve të tjera, si pjesë përbërëse e servisit publik.
 
“Kur bisedohet për servisin publik, gjithmonë mendohet dhe asocohet në programin e parë. Duhet të kihet parasysh se servisi publik ka edhe program të dytë, ka radio të programit një dhe dy, që do të thotë se në të ardhmen duhet të merret parasysh edhe ky fakt”- tha komunikologu, njëkohësisht edhe profesor, Sefer Tahiri. 
 
Po ashtu, gazetarët shqiptarë reaguan se në një organizim të këtillë të ShGM-së, që udhëhiqet nga Naser Selmani, mungoi përdorimi i gjuhës shqipe.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI