Botë
Konflikti në Gazë, Borrell: E gjithë Lindja e Mesme në prag të luftës
24.06.2024 15:33
Ushtria izraelite ka goditur zonën kufitare në jug të Libanit në qytezën Khiam...

Ushtria izraelite ka goditur zonën kufitare në jug të Libanit në qytezën Khiam në rajonin kufitar dhe fushën e zonës Marjajoun me bomba me fosfor të bardhë të ndaluar. Njësitë izraelite të artilerisë goditën me të shtëna të rënda artilerie edhe zonën Hora mes Kfarkilla dhe Deirmimas. Ushtria izraelite njoftoi se kishte për qëllim grupin libanez të Hezbollahut. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se po përgatitet të ndryshojnë situatën aktuale në kufi me Libanin, por nuk dha detaje se për çfarë ndryshimi bëhet fjalë. Ndërsa për situatën në Gazë tha se nuk e ka në plan ta ndalojë luftën pa shkatërruar Hamasin.
"Unë nuk jam gati ta lë kështu situatën në veri të vendit. Ne po përgatitemi për ndryshim të situatës në kufi me Libanin. Nuk mund të zbulojë për mediat detajet e planeve të mija në lidhje me këtë. Ndërsa faza e konfliktit intensiv në Gazë është gati të përfundojë dhe unë nuk jam gati të ndaloj luftën pa shkatërruar Hamasin. Izraeli dëshiron të krijojë një administratë civile në bashkëpunim me palestinezët në Gazë.", - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha se është i shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në të gjithë Lindjen e Mesme, nëse nuk ndalet lufta në Gazë.
“Unë jam shumë i shqetësuar dhe shpresoj se ministrat do të mbështesin iniciativën tonë dhe do të vazhdojnë të kontaktojnë me partnerët tanë për të kërkuar një mbështetje të fortë ndërkombëtare për një armëpushim. Jam më i shqetësuar, shumë më tepër në çdo ditë që kalon dhe kriza nuk kalon, por thellohet. Në vend se të ndërpriten luftimet, çdo ditë ka më shumë bombardime në të dyja anët e kufirit në Liban. Fatkeqësisht mendoj se jemi në prag të shpërthimit të luftës në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.”, - theksoi përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.
Izraeli i cili vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, po lufton edhe me Hezbollahun libanez në kufirin verior. Tensionet janë përshkallëzuar javët e fundit në vijën kufitare të quajtur "Vija e kaltër" mes Libanit dhe Izraelit. Ushtria izraelite tha se ka miratuar "planin operacional" lidhur me një sulm të mundshëm ndaj Libanit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
