Tetovë, reshjet shënuan dëme të konsiderueshme

24.06.2024 16:08

Reshjet e shiut të shoqëruar edhe me breshër...

Reshjet e shiut të shoqëruar edhe me breshër, dje pasdite në rajonin e Tetovës kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa shtëpi tek rrethrrotullimi tek Kazerma e Tetovës, por edhe në disa vende tjera.

Qytetarët që jetojnë aty shprehen se duhet një herë e përgjithmonë të gjendet zgjidhje për këtë problem.

“Kemi dëm të madh, ndodhi ajo që ndodhi, punë e zotit. Askush nuk mund ta ndalojë atë, por disi duhet të zgjidhet puna, muri i kazermës u bë si një bllokadë, uji erdhi i gjithi këndej nga ne, pra kur bie pak shi kemi përmbytje, por me të tilla shira do të thotë që mbushet deri në maje, e shihni vetë, dëmet janë të mëdha, nuk duam para, vetëm të zgjidhet kjo çështje disi.”, - u shpreh një qytetare.

Përveç disa podrume të shtëpive, shiut të rrëmbyeshëm nuk i ka shpëtuar as Galeria e Arteve në Tetovë, ndërsa përmbytje ka pasur edhe në podrumin e Spitalit të Tetovës, ku dëmi është i madh pasi ka depërtuar tek pajiset teknike të spitalit. Komandanti i NjTKZ-Tetovë, Avni Ahmeti, tha se menjëherë kanë dalë në terren dhe po punojnë në kthimin në normalitet.

“Kemi dëme materiale. Fatmirësisht nuk kemi të lënduar dhe viktima. Siç edhe e shihni, pas meje intervenimi vazhdon edhe në disa pjesë të komunës se Tetovës. Kemi objekte të përfshira dhe podrume të mbushura me ujë, kështu që NjTKZ-Tetovë është në krye të detyrës dhe mundohemi që çdo qytetari t’i dalim në ndihmë. Siç e dini, ka qenë i përfshirë Spitali i Tetovës, disa shkolla të mesme dhe siç mund ta shihni pas meje edhe galeria e qytetit është e përfshirë nga uji.”, - theksoi komandanti i NjTKZ-Tetovë, Avni Ahmeti.

Nga komuna e Tetovës, kërkojnë nga qytetarët që dëmet t’i paraqesin në Arkivin e komunës.

Përveç se në komunën e Tetovës, dëme ka pasur edhe në disa komuna tjera rurale. Shiu me erë të fortë dhe breshër ka shkaktuar dëme edhe në kulturat bujqësore, por edhe në zonat urbane, si nëpër çati, tenda, xhama të thyer nëpër automjete, pemë të shkatërruara e shumë dëme të tjera. (Visar Sadiki, TVM2)