19 të vdekur në Dagestan, përleshje mes policisë dhe një grupi terrorist

24.06.2024 18:40

Sulmet mes policisë dhe disa militantëve të armatosur....

Sulmet mes policisë dhe disa militantëve të armatosur që sulmuan dy kisha ortodokse, një sinagogë dhe një rajon policie në sulme terroriste në zona të ndryshme në Dagestan të Rusisë, kanë lënë të vdekur 19 oficerë policie dhe disa civilë.

Gjashtë persona të armatosur janë vrarë gjithashtu, ndërsa gjashtëmbëdhjetë persona u dërguan në spital me lëndime. Tre ditë zie janë shpallur në Dagestan, një republikë me shumicë myslimane në Rusinë jugore, e cila është fqinje me Çeçeninë. Sulmet me sa duket të koordinuara kishin në shënjestër qytetet Derbent dhe Makhachkala në festën ortodokse të Rrëshajëve.

“Më shumë se 15 policë u vranë në sulmin terrorist të sotëm, me armë në dorë, duke mbrojtur paqen dhe qetësinë e Dagestanit. Gjatë përleshjes vdiqën edhe disa civilë të tjerë, gjatë një sulmi ndaj objekteve krejtësisht paqësore që ishin objekt i sulmeve terroriste. Midis tyre është edhe At Nikolai.”, - deklaroi kreu i Republikës së Dagestanit, Sergej Melikov.                                            

Rusia është përpjekur të lidhë Ukrainën me sulmet vdekjeprurëse që vranë të paktën 19 persona. Guvernatori i Dagestanit, Sergei Melikov, pretendon pa dhënë prova, se sulmet mund të ishin përgatitur nga jashtë. Në anën tjetër, Rusia vazhdon bombardimet mbi qytetet e mëdha të Ukrainës. Odesa edhe kësaj radhe është bërë shënjeshtër e sulmeve.

"Goditja shkaktoi një zjarr në shkallë të gjerë në një sipërfaqe prej 3.000 metrash katrorë. Rreth njëqind shpëtimtarë janë duke punuar aktualisht në vendngjarje dhe të gjitha shërbimet e urgjencës po na ndihmojnë. Është angazhuar një tren zjarrfikës dhe psikologët e Shërbimit të Emergjencave Shtetërore janë duke punuar. Fatmirësisht nuk ka të vdekur, por disa persona janë plagosur.”, - theksoi zëdhënësja në rajonin e Odesas, Marina Averina.

Për shkak të luftës në Ukrainë, Bashkimi Evropian e ka miratuar një pako të re të sanksioneve kundër Rusisë. Pakoja e 14-të e sanksioneve kundër Rusisë përfshin ndalimin e rimbushjes së gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në BE për qëllime të dërgimit të tij në vendet e treta.

Kjo pako i ofron gjithashtu BE-së më shumë mjete për ta luftuar shmangien e sanksioneve. Sanksionet përfshijnë po ashtu masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve të tjera, për shkak të veprimeve të tyre kundër Ukrainës. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)