Maqedoni

Takimi në Bruksel, marrëveshje vetëm për vazhdimin e bisedimeve

16.04.2015 17:50

Raundi i djeshëm i bisedimeve mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në Bruksel ka përfunduar pa ndonjë sukses të dukshëm...

Këtë e kanë konfirmuar edhe tre eurodeputetët, Ivo Uajgëll, Eduard Kukan dhe Riçard Houit në një komunikatë të përbashkët pas takimit.
 
Sipas komunikatës, bisedimet u mbajtën dhe u arrit marrëveshje që takimet të vazhdojnë, por nuk precizohet kur do të mbahet takimi i radhës.
 
Takimi paraprak, i mbajtur më 30 mars, përfundoi pa sukses vetëm me dakordimin që bisedimet të vazhdojnë pas festës së Pashkëve. Sipas njoftimeve jozyrtare nga të dy partitë, LSDM mbetet në kërkesën kryesore për formimin e një qeverie kalimtare dhe kërkon dorëheqjen e ministrave dhe të prokurorit publik.
 
Këto kërkesa nuk janë pranuar nga VMRO, e cila kërkon rikthimin e LSDM-së në kuvend dhe vazhdimin e dialogut politik. 
 
Por, derisa asnjë nga tre pjesëtarët e grupeve partiake që marrin pjesë në bisedime, nga të dyja palët, nuk jep detaje rreth përmbajtjes së bisedimeve, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, për mediat maqedonase ka thënë se është e papranueshme ideja e ish kryeministrit, Lubço Georgievski, për amnistimin e funksionarëve të përfshirë në aferën e përgjimeve.
 
“Ekzistojnë ligje në këtë vend edhe për këtë punë dhe gjithçka që sipas ligjit është e vjedhur, është jashtë asaj që kanë dëshmuar se e kanë fituar në mënyrë të ndershme dhe ligjore, gjithçka që është jashtë kësaj do ta kthejnë. Këtu askush nuk ka të drejtë as të flasë për amnisti, as për ndonjë lloj abulacioni apo mbyllje sysh, e gjithë kjo në funksion për, gjoja, ndonjë dialog politik apo diç të ngjashme”- ka thënë Zaev.
 
SHPËTIM NUREDINI