Assange, themeluesi i Wikileaks lirohet nga paraburgimi pas marrëveshjes me SHBA-në

25.06.2024 16:21

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange...

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange u largua nga Britania e Madhe, i lirë, pasi arriti një marrëveshje me autoritetet amerikane për pranimin e fajësisë mbi akuzat për spiunazh që e kanë ndjekur për më shumë se një dekadë.

WikiLeaks publikoi pamjet e Assange duke dalë nga burgu Belmarsh në Londër, ku ai ka qëndruar atje për pesë vjet. Pas marrëveshjes, Assange u largua nga burgu Belmarsh në Londër dhe u nis për në Saipan në Ishujt Mariana të Veriut me avion privat.

Kryeministri australian, Anthony Albanese konfirmoi se Assange ishte larguar nga Britania. Ai njoftoi se ambasadori australian në Londër, Stephen Smith do ta shoqërojë Assange në seancën dëgjimore në Saipan.

”Pavarësisht nga pikëpamjet që njerëzit kanë për zotëri Assanzhin dhe aktivitetet e tij, çështja është zvarritur për një kohë të gjatë.Nuk ka asgjë për të fituar nga burgimi i tij i vazhdueshëm dhe ne duam që ai të sillet në shtëpi në Australi.” – tha Kryeministri Australian, Anthony Albanese.

“Thjeshtë duhet edhe më tej të jemi të kujdesëshëm për atë se si do të zhvillohet kjo ngjarje, për arsye e fundi akoma nuk ka ardhur.” – deklaroi Deputeti i Opozitës në Australi, Barnabi Xhojs.

"Kostoja e Julianit, sigurisht, ka qenë privimi i lirisë gjatë gjithë këtyre viteve në betejën për lirinë e gazetarisë dhe lirinë për të botuar. Themeli i demokracisë." – theksoi Kryeredaktorja e Wikileaks, Kristinn Hrafnsson.

Assange 52 vjecar, u arrestua më 11 prill të vitit 2019-të. Nga Ambasada e Ekuadorit në Londër, ku u strehua në qershor 2012 dhe u arrestua për "shkelje të kushteve të lirimit me kusht" u dërgua në burgun Belmarsh në Londër.

Në vitin 2010-të, WikiLeaks i publikoi qindra mijëra dokumente të klasifikuara të ushtrisë amerikane në lidhje me luftërat e Uashingtonit në Afganistan dhe Irak, si dhe plot kabllograme diplomatike.

Në mesin e më shumë se 700.000 dokumenteve të publikuara ishin edhe kabllograme diplomatike dhe një video e vitit 2007, e cila shfaq një helikopter amerikan duke shtënë mbi kryengritës të dyshuar në Irak, dhe duke vrarë dhjetëra njerëz, përfshirë dy pjesëtarë të stafit të agjencisë së lajmeve, Reuters.

Akuzat kundër Assange nxitën zemërim të madh në mesin e shumë mbështetësve të tij në gjithë botën, të cilët për kohë të gjatë kanë argumentuar se Assange, si publikues i WikiLeaks, nuk duhet të përballet me akuza që përdoren veçanërisht kundër punonjësve qeveritarë të cilët vjedhin apo publikojnë informata.

Shumë mbrojtës të lirisë së shtypit argumentuan se ndjekja penale e Assange përbën kërcënim për lirinë e fjalës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)