Maqedoni
Myftinia e Gostivarit, manifestim për ditëlindjen e profetit Muhamed
16.04.2015 18:01
Aktivitetet e manifestimit të sivjetshëm me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed, që po organizohet nga Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame të Gostivarit...

Aktivitetet e manifestimit të sivjetshëm me rastin e ditëlindjes së profetit Muhamed, që po organizohet nga Myftinia e Bashkësisë Fetare Islame të Gostivarit për të dymbëdhjetin vit me radhë, kanë filluar sot me vizitën në Shkollën Fillore “Mehmet Deralla” në fshatin Gradec.
Me këtë rast, myftiu i Gostivarit, hafëz Shaqir efendi Fetahu, drejtorit të Shkollës Fillore “Mehmet Deralla” në fshatin Gradec i ndau disa tituj librash me karakter fetar dhe shkencor për bibliotekën e kësaj shkolle. Edukata dhe arsimimi i gjeneratave të reja është një mision hyjnor për të gjithë ne”- tha mes tjerash myftiu Fetahu.
Me këtë rast, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, i cili potencoi se komuna që ai drejton ka nderin të jetë pjesë e manifestimit tradicional, që tani e 12 vite organizohet nga Myftinia e Gostivarit.
Drejtori i Shkollës Fillore “Mehmet Deralla” në fshatin Gradec, Etem Ademi, falënderoi drejtuesit e Myftinisë së Gostivarit për donacionin e dhuruar, i cili, siç tha, bëhet akoma më i vlefshëm, sepse ndahet me rastin e shënimit të ditëlindjes së profetit Muhamed. Aktivitet vazhduan me vizitën në Shkollën Fillore “Përparimi” në fshatin Çegran, ku po ashtu u ndanë libra për bibliotekën e shkollës.
Më 17 prill, pra nesër, vijon vizita në klasën e nxënësve me nevoja të posaçme në Shkollën Fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, me ç’rast do të ndahen dhurata simbolike për nxënësit e kësaj klase. Dhurata do të ndahen edhe për bibliotekën e Shkollës Fillore “Ismail Qemali” në Gostivar.
LULZIM HAZIRI
