Maqedoni

Mickoski konfirmon: Mexhiti do të jetë zv/kryeministër i parë

26.06.2024 15:09

Kryeministri, Hristian Mickoski ju dha fund dilmave në opinion nëse qeveria që ai drejton do të ketë ose jo zv/kryeministër të parë...

Kryeministri, Hristian Mickoski ju dha fund dilmave në opinion nëse qeveria që ai drejton do të ketë ose jo zv/kryeministër të parë. Ky post i takon Koalicionit VLEN dhe në atë vend do të ulet Izet Mexhiti konfirmon kreu i ekzekutivit.  Ai sqaron se edhe pse ky post nuk është paraparë me Ligjin për Qeverinë, ka një marrëveshje xhentelmenësh mes partnerëve të koalicionit  dhe ajo do të respektohet. 
 
“Sipas ligjit që është në fuqi, Qeveria, pra kryeministri ka zëvendës. Ndërsa marrëveshjen që e kemi brenda koalicionit është që të kemi një zëvendëskryeministër të parë dhe ai do të jetë Izet Mexhiti. Por kjo është jashtë ligjit. Ligji thotë, gjegjësisht nënkupton vetëm zëvendës të kryeministrit. Ajo që deri më tani është bërë në mënyrë të paligjshme, nuk do të jetë praktikë në punën e kësaj Qeverie. Por po, marrëveshja e xhentelmenëve në kuadër të koalicionit tonë dhe brenda funksionimit tonë është e tillë.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Mickoski: Teza se balancusi po hiqet, është e gabuar
 
Kryeministri nuk dha ndërkohë ndonjë përgjigje konkrete nëse balancuesi do të shëndrohet në ligj për përfaqësim të drejtë. Ripërsëriti se askush nuk kërkon të marrë të drejtat e askujt dhe se fshirja e balancuesit është rezultat i procesit të skriningut me BE-në, e nëse duam të jemi pjesë e BE-së të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë para ligjit.
 
“Teza se po hiqet Balancsi ose dikush do t'i heqë të drejtat dikujt është e gabuar. Dhe këto janë tezat e servirura nga ata që në shtatë vitet e fundit mbushën autobusët me të rinj, maqedonas, shqiptar, turq, rom etj dhe sot jemi në këtë situatë. Ata po mundohen të bindin me këtë lloj teze, ndërsa po grabisnin të gjithë qytetarët pa dallim etnie. Cila është e vërteta? Rekomandimi për fshirjen e balancuesit është rezultat i procesit të skriningut me BE-në. Tani duam të shkojmë në BE apo jo? Nëse duam të shkojmë në BE, atëherë le të kërkojmë një zgjidhje.”, u shpreh Mickoski.
 
Balancuesi është keqpërdorur në vazhdimësi pothuajse në të gjitha institucionet shtetërore kur bëhej fjalë për punësimet e rezervuara për bashkësi të caktuara etnike, sidomos për  shqiptarët. Deri së fundmi, vetëm me një deklarim të thjeshtë në noter, shumë maqedonas kanë zënë vendet e rezervuara për bashkësitë e tjera.
 
SANIJE DUAKU