Numri i shtuar i turistëve, ka shtuar aktivitetet e higjienës në Tiranë

26.06.2024 17:16

Rritja e numrit të turistëve në Tiranë....

Rritja e numrit të turistëve në Tiranë ka sjellë për pasojë edhe shtim të mbetjeve, ndaj Bashkia thotë se ka nisur një super aksion pas pastrimin e qytetit.

“Është dyfishuar numri i mbeturinave në qytet dhe kjo është më se normale sepse ka shumë turistë që konsumojnë, qoftë në koshat e lagjeve, qoftë edhe në koshat e rrugëve. Ne turizmin patjetër që e duam, kështu që do të dyfishojmë shërbimin dhe do të shtojmë shumë njerëz dhe mjete në terren, por nga ana tjetër do të shtojmë edhe masat, sidomos për supermarketet. Derdhja e mbetjeve jashtë shton kafshët e rrugëve, insektet, zvarranikët, brejtësit dhe dëmton gjithë higjienën në qytet”, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Ai paralajmëroi masa për të gjitha supermarketet dhe fasoneritë që i hedhin mbetjet në koshat për mbeturinat familjare.

“Kemi ngritur një task-forcë bashkë me Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe inspektorët e higjienës në terren, dhe do të jemi vërtet të rreptë, sidomos me supermarketet, me ata që hedhin mbeturinat e lëndës së parë nëpër fasoneri, me ato që kanë restorante dhe ushqimin organik i hedhin te kazani i lagjes. Na duhet bashkëjetesë dhe aty ku bashkëjetesa nuk bëhet me hir, do të bëhet me pahir dhe me organet ligjzbatuese”, shtoi Veliaj.

Deklaratat, Veliaj i bëri gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare Avni Rustemi që do të presë 850 nxënës në shtator. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të tregohen të mirëkuptueshëm, në mënyrë që ekipi i terrenit të punojë me ritme të shpejta këto dy muaj vere. (Luljeta Ndoka, TVM2)