O’Brien, Kosova dhe Serbia po i humbin mundësitë
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien...

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, ka thënë se Kosova dhe Serbia janë duke i “humbur vërtet” mundësitë e tyre duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun e Brukselit, pasi të mërkurën dështoi të mbahej takimi i paralajmëruar trepalësh i liderëve të të dyja vendeve me shefin e diplomacisë së BE-së.
“Takimet e Josep Borrellit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tregojnë se si palët duhet të ripërkushtohen për t’i luftuar problemet dhe për t’i ndjekur mundësitë brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkroi O’Brien në X.
OBrien ka shpërndarë deklaratën e shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimeve të ndara me kryemisnitrin kosovar Kurti dhe preidnetin serb Vuçiq, i cili konfirmoi se nuk u mbajt takim trepalësh, pasi gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Kushtet e Kurtit ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët përkatës të dyja shteteve, tërheqja e letrës zyrtare të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar “terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Këto kërkesa nuk janë pranuar nga presidenti serb Vuçiq, prandaj takimi trepalësh nuk u realizua.
