Rreshjet e rrëmbyeshme, dëme në Kumanovë dhe Likovë
Rrugë të përmbysura nga uji, pemë të thyera nga erërat e forta...

Rrugë të përmbysura nga uji, pemë të thyera nga erërat e forta, shtëpi e biznese të vërshuara, ky është epilogu i reshejeve të rrëmbyeshme që kapluan mbrëmë rajonin e Kumanovës.
Naip Jashari, qytetar por edhe afarist i qytetit të Kumanovës, është njëri ndër banorët e shumtë që pas çdo përkeqësimi të motit e sidomos kur ka të reshura të dendura, shtëpinë por edhe vendin e tij të punës e vërshon uji, e krejt kjo siç shprehet ai për shkak të mungesës së kanalizimit atmosferik.
“Nuk është hera e parë kjo që më ndodhë, po e shifni edhe vetë se çfarë problemi kemi, rregullisht kur ka të rreshura, kemi problem, kjo është hera e tretë që uji gjatë reshjeve na hy në punëtori, e pat edhe jasht jemi mundu me e ndalu ujin por e kotë, faleminderit edhe nga fqinjët të cilët erdhën me na ndihmu, mirëpo ishte e kotë me ndal ujin, dëmet janë të mëdha, unë punoj me mobilje, dëmi është i madh pasi që kjo kuzhinë kushton diku 2.500 euro. Kërkoj që të rregullohet kanalizimi atmosferik të vendoset një pusetë të lidhet me rrugën e Seravës, besoj se nuk është ndonjë investim i madh”, theksoi Naip Jashari, qytetarë i Kumanovës.
Nga ana tjetër, komuna e Kumanovës përmes një njoftimi i fton qytetarët të cilët u dëmtuan nga reshjet e fundit, dëmet ti paraqesin në Shtabin Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim.
“Lajmërohen të gjithë qytetarët e Komunës së Kumanovës, të cilëve për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe breshërit, u janë shkaktuar dëme, të njoftojnë Shtabin Komunal për mbrojtje dhe shpëtim përmes Arkivës së Komunës. Të dëmtuarit duhet të dorëzojnë Kërkesë në arkivin e Komunës duke shpjeguar se për çfarë lloji të dëmeve bëhet fjalë, ose të informohen përmes numrit të telefonit 075/273-192.” – thonë nga Komuna e Kumanovës.
Si pasojë e reshjeve të mbrëmshme të shiut, dëme si në infrastrukturë, por edhe në të mbjella u regjistruan edhe në komunën e Likovës, ku dëmet janë evidente, me çka u aktivizua Komisioni për verifikimin dhe mbikqyrjen e dëmeve.
“Dëmet janë të mëdha, meqë jemi komunë rurale dhe që kryesisht merremi me bujqësi, blegtori e vreshtari, nga ku bëjmë produktet bazë, por shpresoj që ne si komunë bashkarisht me Qeverinë e RMV, do arrijmë që t’iu dalim në ndihmë këtyre banorëve të cilët kanë më së shumti nevojë deri më tash”, theksoi Kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi.
Ndryshe sipas njoftimeve të Qendrës për Menaxhim me Kriza, edhe ditët në vijim priten reshje të shiut dhe erë e forte, andaj apelohet për kujdes të shtuar. (Fatlum Aqifi, TVM2)
