Kryeministri bullgar, RMV ti respektojë marrëveshjet

27.06.2024 17:01

Kryeministri i Bullgarisë, Dimitar Gllavçev...

Kryeministri i Bullgarisë, Dimitar Gllavçev, në konkluzionet e samitit dyditor të liderëve të Bashkimit Evropian do të kërkojë që të përfshihet tekst për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Gllavçev do t’i kërkojë Këshillit Evropian të konfirmojë konkluzionet për Maqedoninë e Veriut nga dhjetori i vitit të kaluar dhe nga 18 korriku 2022 dhe t’i bëjë thirrje vendit që të ndërmarrë hapat e treguar në to për përparim në rrugën drejt integrimit evropian.

Sipas kryeministrit bullgar, është e rëndësishme të theksohet se zbatimi i të gjitha angazhimeve, si dhe përparimi i të gjitha reformave që lidhen me BE-në, mbeten vendimtare.

“Pres që të respektohen angazhimet dhe për këtë do ti rikujtoj kolegët se çfarë obligime u morën më 18 korrik 2022 kur ishte korniza e zgjeruar që është udhërrëfyes për antarësimin e RMV-së. Në dhjetor të vitit 2023 ishim më konkretë, dhe fokusi ishte në ndryshimet kushtetuese. Periudhën e fundit pamë deklarata nga lider partiak dhe shefa të qeverisë nga RMV, se nuk do të ketë ndryshime të tilla.” – deklaroi Kryeministri i Bullgarisë, Dimitar Gllavçev.

Ndryshe, njoftimi për qëndrimin e Sofjes që kryeministri Gllavçev planifikon ta përcjell në samitin në Bruksel, vjen pas shkëmbimit të deklaratave në mes të qeverisë së re të Maqedonisë të kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski dhe një pjese të lidershipit dhe aktorëve kryesorë politikë në Bullgari në lidhje me Kornizën Negociative dhe si të vazhdohet në rrugën e vendit drejt BE-së.

Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë, mbetet i rëndësishëm për t’u zbatuar me vullnet të mirë dhe rezultate të dukshme, thuhej në këtë pjesë të Deklaratës.

Kujtojmë se vendi si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese ka ndryshimet kushtetuese dhe futjen e bullgarëve ne preambullë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)