Ndalohet festivali “Mirëdita, dobar dan”, Kurti: Serbia shfaqi sërish armiqësinë ndaj paqes

28.06.2024 12:40

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar vendimin e autoriteteve serbe për ndalimin e mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan” të enjten në Beograd, duke thënë se Serbia ua ofroi skenën“grupeve huligane” në vend se t’ua linte artistëve.

“Pasi refuzoi përsëri ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, e cila u ndërmjetësua nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja, Serbia e ndaloi të enjten edhe një iniciativë të sponsorizuar nga BE-ja, ‘Mirëdita, dobar dan’”, tha Kurti, i cili i paraqiti të mërkurën në Bruksel tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Autoritetet ndaluan mbajtjen e festivalit pas protestave të grupeve ultra të djathta dhe huliganëve.

“Një festival kulturor me një histori njëdekadeshe të festimit të shumëllojshmërisë që bashkon artistët nga Kosova dhe Serbia, ‘Mirëdita, dobar dan’ u rrëmbye nga zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin dhe ministri i Brendshëm Ivica Daçiç, të cilët e shtrembëruan atë duke e shndërruar në paradë groteske të mesazheve diskriminuese dhe urrejtëse”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha të enjten se urdhri për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan” u lëshua shkaqe sigurie.