Liderët e BE-së dakordohen për postet kryesore
Liderët e Bashkimit Evropian...

Liderët e Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për udhëheqjen politike të bllokut për pesë vitet e ardhshme. Ursula von der Leyen do të jetë presidente e Komisionit Evropian, António Costa president i Këshillit Evropian dhe Kaja Kallas , Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë.
Nominimet e Von der Leyen dhe Kallas nuk janë përfundimtare dhe ende kërkojnë konfirmim nga Parlamenti Evropian gjë që nuk është e nevojshme për Kosta, ish-kryeministrin e Portugalisë. Ai do të marrë detyrën më 1 dhjetor.
“Unë do të doja të shpreh mirënjohjen time për liderët që miratuan emërimin tim për një mandat të dytë”, ka thënë von der Leyen.
“Me një ndjenjë të fortë misioni do të marr përgjegjësinë për të qenë presidenti i ardhshëm i Këshillit Evropian”, tha Kosta, duke falënderuar familjen e tij socialiste dhe qeverinë portugeze për mbështetjen e tyre.
“Unë do të jem plotësisht i përkushtuar për të promovuar unitetin midis të 27 vendeve anëtare dhe do të fokusohem në vënien në rrugën e duhur të Axhendës Strategjike”, ka shtuar ai.
“Kjo është një përgjegjësi e madhe në këtë moment tensionesh gjeopolitike”, ka theksuar Kallas në një deklaratë, duke premtuar se do të punojë “me kënaqësi” me von der Leyen dhe Kosta.
“Do të jem në shërbim të interesave tona të përbashkëta”, shtoi ajo. “Evropa duhet të jetë një vend ku njerëzit janë të lirë, të sigurt dhe të begatë.”
