Mexhiti, koordinim me ministrat e koalicionit VLEN

28.06.2024 14:17

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti...

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka filluar me koordinim të rregullt me ministrat e VLEN-it, në mënyrë që të përmbushen zotimet programore të këtij kualicioni.

“Për të siguruar një shkallë të lartë efikasiteti në zbatimin e zotimeve tona programore, zv.kryeministri i parë i qeverisë dhe ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, filloi një praktikë të koordinimit të rregullt me ministrat e shëndetësisë, çështjeve evropiane, ekonomisë, qeverisjes së mirë, si dhe të punës, demografisë dhe rinisë, të cilët u zgjodhën me propozimin e koalicionit VLEN. Ky lloj koordinimi do të shtrihet edhe me zëvendësministrat dhe me kuadrin tjerët të zgjedhur dhe të emëruar të VLEN-it në pushtetin ekzekutiv”, shkruan Izet Mexhiti në facebook.

Ai njëherit thekson se mbeten plotësisht të përkushtuar për zbatimin e premtimeve parazgjedhore dhe zbatimin e politikave që do të zgjidhin problemet e qytetarëve, do të rrisin standardet e jetesës dhe do të sigurojnë një të ardhme të sigurt.

Mexhiti njëherit thekson angazhimin për dinamizimin e perspektivave të BE-së, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe decentralizimin e pushtetit tek komunat si shërbimi i parë i drejtpërdrejtë për qytetarët.

“Së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe deputetët e koalicionit qeverisës do të propozojmë dhe miratojmë zgjidhje të duhura ligjore”, thekson Mexhiti pas këtij takimi koordinues.