BDI, Qeveria po zhbën Marrëveshjen e Ohrit

28.06.2024 16:26

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguaр kundër heqjes së balancuesit, ndërsa vlerëson se Qeveria injoron të dhënat e regjistrimit të fundit ku tregojnë se shqiptarët përbëjnë 29,5% të popullsisë, me çka siç thonë nga BDI, po zhbëhet Marrëveshja e Ohrit. 

“Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh mosbesim dhe shqetësim të  thellë për vendimin e qeverisë me legjitimitet njëetnik, për të ndryshuar formulën ‘balancues’, që përcakton përfaqësimin e drejtë të të gjitha komuniteteve etnike para se ta zhbëjnë atë tërësisht. Duke injoruar të dhënat e regjistrimit të fundit që tregojnë se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë, kjo Qeveri ka vendosur të rikthejë përqindjen nën 25%, bazuar në të dhënat e regjistrimit të 20 viteve më parë. Ky veprim përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejte, një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkohë, humbësit e zgjedhjeve dhe partnerët e Stoilkoviqit, të kapur dhe të pafuqishëm, vëzhgojnë në heshtje por edhe aktivisht  kontribuojnë në degradimin e përditshëm të pozitës së shqiptarëve. Kjo është pasojë e qartë e faktit se ata nuk janë përfaqësuesit e votuar të komunitetit shqiptar, por partneri i preferuar i VMRO DPMNE-së, duke vënë në plan të parë pozitat, edhe pse kanë marrë vetëm thërrime nga institucionet e zhveshura nga kompetencat”, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.

VLEN, qëndrojmë në krah të qytetarëve

Janë kundërpërgjigjur nga koalicioni VLEN, duke hedhur poshtë kritikat e BDI-së.

”VLEN qëndron në krah të qytetarëve. Qeveria jonë e përbashkët dhe shumica parlamentare i thanë STOP rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e vegjël dhe amvisëritë. Ne kemi treguar se mund të bëhet ndryshe. Dështoi skenari i BDI-së për të lënë pas një goditje çmimi për të krijuar pakënaqësi te qytetarët për Qeverinë e re. Sepse VLEN është një parti që i shërben popullit. Sot në seancën e parë të qeverisë ka më shumë lajme të mira. Pensionistët do të marrin rritjen e premtuar lineare, sepse meritojnë pensione dinjitoze. Ne punojmë me përkushtim për të mirën e përbashkët”, theksojnë nga Koalicioni VLEN. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)