Liderët e BE-së ndanë postet kryesore, Von Der Leyen, sërish një mandat 5 vjeçar

28.06.2024 16:48

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të emërojnë Ursula von der Leyen....

Udhëheqësit e BE-së ranë dakord të emërojnë Ursula von der Leyen edhe për një mandat tjetër pesë vjeçar në krye të organit ekzekutiv të BE-së.

Samiti i Brukselit, ku ishin të pranishëm të gjithë liderët e BE-së, zgjodhi gjithashtu portugezin Antonio Costa në krye të Këshillit Europian dhe estonezen Kaja Kallas si shefen e ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.

Udhëheqësit miratuan gjithashtu agjendën strategjike, një dokument me ambicie të gjëra që synon të drejtojë punën e ardhshme të tre të emëruarve.

“Kjo agjendë strategjike fillon me një vlerësim shumë të matur të realiteteve të reja gjeopolitike. Përgjigja ndaj këtyre sfidave janë të përcaktuara shumë qartë në agjendën strategjike, duke rritur shkallën e mbrojtjes evropiane nga shpenzimet në ndërveprueshmëri, por edhe një vështrim shumë i qartë mbi kërcënimet klimatike që janë atje Ekonomitë tona të tregut social. Një fokus shumë i fortë në temën e konkurrencës, natyrisht, miratimi i zbatimit të tranzicionit tonë binjak të pastër dhe digjital, dhe rritja e kapaciteteve prodhuese të Evropës për teknologjitë e pastra” – tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen.

Nominimet e Von der Leyen dhe Kallas nuk janë përfundimtare dhe ende kërkojnë konfirmim nga Parlamenti Evropian, gjë që nuk është e nevojshme për Costa, një ish-kryeministër i Portugalisë. Ai do të marrë detyrën më 1 dhjetor.

“Bashkimi Evropian ka demonstruar qëndrueshmërinë e tij në të kaluarën, duke gjetur gjithmonë forcë dhe unitet dhe ndërtimi i unitetit midis vendeve tona anëtare do të jetë prioriteti im kryesor kur të marr pozicionin tim në dhjetor, në rrugën e duhur për këtë agjendë strategjike, të cilën Këshilli Evropian e ka miratuar” – u shpreh Presidenti i zgjedhur i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Treshja fitoi mbështetje të gjerë, por kryeministrja italiane e krahut të djathtë Giorgia Meloni abstenoi nga votimi për Von der Leyen dhe votoi kundër Costas dhe Kallas, sipas diplomatëve.

Meloni tha se propozimet e Këshillit Evropian për lidershipin e lartë të BE-së, ishin 'një gabim i madh'.

“Mendoj se propozimi i formuluar nga partitë konservatore, Socialiste dhe Liberale ishte një gabim në meritë dhe metodë. Qytetarët evropianë kërkuan qartë një linjë të re dhe të ndryshme për Bashkimin Evropian. Është një gabim i madh, e konsideroj mbi të gjitha mungesë respekti ndaj qytetarëve europianë, ndaj votës së shprehur nga ata qytetarë dhe ndaj vendosa të respektoj indikacionet e qytetarëve duke mos e mbështetur këtë propozim” – u shpreh Kryeministrja e Italisë, Girogia Meloni.

Nga ana e saj, Ursula von der Leyen theksoi se është e nevojshme të punojnë me Italinë dhe jo ta mënjanojnë. Miratimin përfundimtar të kandidaturës së Von der Leyen do ta japë Parlemtin Evropian me një votim të fshehtë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)