Kurti: S’ka mirëbesim pa dorëzimin e Radoiçiqit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë ka folur për tri kërkesat e tij në Bruksel që i paraqiti të mërkurën, e që ishin të pa pranueshme për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, prandaj edhe nuk u realizua takimi trepalësh. Kurti ka përsëritur qëndrimin se nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim derisa Serbia nuk e dorëzon Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij që kryen sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.
"Të mërkurën u mbajt takimi i radhës në Bruksel. Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë pas sulmit terroristë në Banjskë të Zveçanit. Pas 9 muajve të sulmit kryeterroristi Milan Radojçiç është ende në liri. Është arritur që grupi i terroristëve të hyjë në sistemin e urdhër-arrestit ndërkombëtar. 39 prej tyre ndodhen në listën e kërkimit ndërkombëtarë. Përderisa Radojçiç dhe grupi i tij është i lirë, nuk ka mirëbesim. Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë formalizimin e saj me nënshkrim. Ne kemi paraqitur tri kërkesa të garancisë të cilat janë mburojë për marrëveshjen. Ndërsa, letra e 13 dhjetorit nga ish - kryeministrja serbe Ana Brnabiq dhe marrëveshja bazike janë në kundërthënie me njëra-tjetrën. Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen, duhet që ajo të nënshkruhet. Edhe të ketë tërheqje të letrës së Brnabiq si dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq", - potencoi Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
