Maqedoni

BDI/VLEN, përplasje rreth përfaqësimit të shqiptarëve

29.06.2024 14:48

Zyrtarë të BDI-së kanë reaguar ndaj qëndrimit të qeverisë për heqjen e balncuesit dhe emrimet...

Zyrtarë të BDI-së kanë reaguar ndaj qëndrimit të qeverisë për heqjen e balncuesit dhe emrimet në agjencinë e zbulimit ku thuhet se për herë të parë nuk ka asnjë drejtues shqiptar.  
 
“Kalkulatori që përcakton sa shqiptarë duhet të jenë në çdo institucion bie për 5% (nga 29.5% në 24.5%), që nënkupton mijëra shqiptarë më pak në institucione. Për herë të parë pas vitit 2001, agjencia e zbulimit është pa asnjë drejtues shqiptar. Kjo nuk është më çështje e betejave politike, është situatë serioze dhe alarmante.”, ka shkruar në reagimin e tij Bujar Osmani nga BDI. 
 
Por nga kualicioni VLEN thonë se sot derdhin lot krokodili, derisa në vitin 2019 Osmani dhe Grubi kërkuan të rishqyrtohet vendimi për emërimin e Erold Musliut. 
 
“Është hipokrite që BDI-ja opozitare të akuzojë shqiptarët për përfaqësim të pamjaftueshëm në shërbimet e sigurisë. T'i radhisim faktet. Gjatë mandatit të Talat Xhaferit si Ministër i Mbrojtjes, ZERO shqiptarë në njësinë e ushtrisë “Ujqërit”. Gjatë mandatit të Talat Xhaferit si kryeministër teknik, një ushtar profesional shqiptar është rrahur brutalisht pasi ka reaguar ndaj garës selektive te “ujqërit”. BDI përmes Bujar Osmanit dhe Artan Grubit në vitin 2019 ka kërkuar nga presidenti i atëhershëm Stevo Pendarovski që ta rishqyrtojë vendimin për emërimin e Erold Musliut për drejtor të Agjencisë për Inteligjencë. Prandaj, kjo klithmë e BDI-së nuk ka të bëjë me përfaqësimin e shqiptarëve në institucione, por sepse Grubi, Bujari, Kreshniku dhe kompania humbën privilegjet e tyre.”, thonë nga koalicioni VLEN, duke shtuar se zëvendësdrejtori në Agjencinë për Siguri Kombëtare, institucion që sipas programit të Qeverisë pritet të fuzionohet me Agjencinë e Inteligjencës, do të jetë shqiptar. Pas kësaj reforme, propozimi i koalicionit VLEN për zëvendësdrejtor në Agjencinë për Siguri Kombëtare do të jetë zëvendës edhe në shërbimin e integruar të inteligjencës. 
 
Reagimet erdhën pasi Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka shkarkuar drejtorin e Agjncisë së Zbulimit Erolld Musliu, dhe në vend të tij ka emëruar Gabriella Jakovllevën. Presidentja ndryshoi edhe zëvendësdrejtoreshën e kësaj Agjencie Aleksandra Bakrevskën dhe në vend të sajë emëroi Ivana Stojanovskën.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI