Maqedoni
MPJ e RMV-së reagon ndaj regjistrimit në Shqipëri
29.06.2024 15:26
Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ndaj rezultateve për Regjistrimin e popullsisë në Shqipëri...

Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut ka reaguar ndaj rezultateve për Regjistrimin e popullsisë në Shqipëri, prej ku thonë se nuk pasqyrojnë në mënyrë adekuate numrin real të maqedonasve etnikë në vend. Po ashtu, kjo Ministri shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër për përdorimin e termit “maqedonas verior” përkatësisht përdorimin e emrit të shtetit si zëvendësim për një bashkësi etnike.
“Ministria shpreh pakënaqësi dhe reagon ashpër ndaj përdorimit të termit “maqedonasit-verior” dhe përdorimi i emrit të shtetit si emër i bashkësisë etnike. Ministria do të thërrasë ambasadorin Danço Markovsk për konsultime urgjente në drejtim të përkufizimit të mangësive dhe parregullsive në këtë proces, shqyrtimin e mundësive për korrigjim adekuat të lëshimeve të bëra dhe gjetjen e mënyrave më adekuate për veprim të përbashkët dhe avancimin e raporteve bilaterale me Republikën e Shqipërisë”, thonë nga Ministria e jashtme.
Premtojnë se do të ndërmarrin hapa konkret për t’i kushtuar vëmendje më të madhe zhvillimit të maqedonasve në Shqipëri.
“Të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve fqinje duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut e kuptimit të ndërsjellë dhe respektimit të rregullave, parimeve dhe vlerave të përparimit të drejtë ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në reagimin e Minsitrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Sipas regjistrimit të popullsisë të publikuar nga Instituti i Statistikave në Shqipëri jetojnë 2.281 ‘Maqedonas të Veriut’, ndërsa në regjistrimin e vitit 2011 ka pasur 5512 maqedonas. Poashtu janë regjistruar edhe 7 mijë bullgar. Sipas regjistrimit të vitit të kaluar në Shqipëri jetojnë 2 milionë e 402 mijë e 113 banorë ose rreth 420 mijë më pak se në censin e vitit 2011.
FLORIJE BELULI KAMBERI
