Botë
Beograd, plagoset një polic që ruante Ambasadën Izraelite
29.06.2024 16:09
Një person i panjohur, ka qëlluar me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë në Beograd...

Një person i panjohur, ka qëlluar me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë në Beograd, i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë.
Pjesëtari i Xhandarmërisë M.J ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra. Ministria e Brendshme e Serbisë tha se polici i plagosur është transportuar në Qendrën Emergjente, ku do t’i nënshtrohet një operimi për të hequr shigjetën nga qafa. Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha ky rast po trajtohet si akt terrorist.
“Zyra e Prokurorit Special ka marrë përsipër këtë rast.”, tha Daçiq për gazetarët, teksa vizitoi në Qendrën e Emergjencës policin e plagosur. “Të gjitha rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme po hetohen.”, tha Daçiq.
Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
