Maqedoni
Hojt Ji: angazhim serioz i ShBA-ve për ngërçin politik
16.04.2015 18:36
Zëvendësndihmëssekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Azi, Hojt Ji, u takua sot me kryeministrin, Nikolla Gruevski...

Zëvendësndihmëssekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Azi, Hojt Ji, u takua sot me kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Maqedonisë në Maqedoni dhe shpalosi qëndrimet e Uashingtonit zyrtar rreth krizës politike.
Ai shprehu përkrahjen e fuqishme të ShBA-së për Maqedoninë, duke shtuar se ShBA-të do ta ndihmojnë Maqedoninë në aspiratat e saj drejt NATO-s dhe BE-së. Në këtë takim, sipas tij, është debatuar për shumë çështje, duke i dhënë rëndësi tejkalimit të krizës aktuale në vend.
“Kemi debatuar për krizën aktuale në vend, për mundësinë e influencimit në media dhe në gjyqësor dhe mundësinë e keqpërdorimit të pushtetit. Mendoj se Qeveria duhet t’i ruaj vlerat bazë demokratike, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet progres. Këto janë çështje tejet serioze, të cilat kërkojnë përgjigje dhe qeveria duhet t’i marrë ato me aq seriozitet ashtu siç merr akuzat e Zaevit dhe opozitës”- deklaroi zëvendësdihmëssekretari shtetëror amerikan për Evropë dhe Azi, Hojt Ji.
Vizita e Ji konsiderohet si angazhim i madh dhe serioz i ShBA-ve për kapërcimin e ngërçit politik në vend.
FLUTURA LATIFI
