Botë

Korea e Veriut dënon stërviten ushtarake “Shqiponja e Lirë”

30.06.2024 12:21

Koreja e Veriut ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara...

Koreja e Veriut ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar si “version aziatik të NATO-s” dhe duke paralajmëruar për “pasoja fatale”.
Ky reagim i Phenianit vjen një ditë pasi këto shtete aleate përfunduan stërvitjet treditore të quajtura “Shqiponja e Lirë”, ku u përfshin raketa balistike dhe mbrojtja ajrore, trajnimet për sulme nga nëndetëset dhe stërvitje për mbrojtje kibernetike. Udhëheqësit e SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë gjatë një samiti vitin e kaluar u pajtuan që të mbajnë stërvitje vjetore si shenjë e unitetit kundër kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut dhe rritjes së ndikimit të Kinës në rajon. 
 
“Ne dënojmë fuqishëm shfaqjen provokuese të muskujve ushtarakë kundër Koresë së Veriut”, tha Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut. “Raportet mes SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut duken si versioni aziatik i NATO”, tha kjo ministri, duke paralajmëruar për “pasoja fatale”. 
 
Në stërvitjet e fundit u përfshi edhe aeroplanmbajtësja amerikane, me fuqi bërthamore, USS Theodore Roosevelt, sistemi raketor japonez, JS Atago, dhe avionët luftarakë të Seulit të llojit KF-16. Seuli ka hedhur poshtë akuzat e Phenianit, duke thënë se stërvitjet e fundit ishin vazhdim i stërvitjeve mbrojtëse që mbahen rregullisht për vite të tëra nga tre aleatët.
 
Tensionet mes dy Koreve janë rritur së fundi, pasi të dyja kanë hedhur në territoret e njëra-tjetrës balona gjatë javëve të fundit. Veriu i ka mbushur balonat me mbeturina, ndërkaq Seuli ka hedhur balona të mbushura me mesazhe pro-Seulit.