Maqedoni
Likovë, pas vërshimeve Këshilli Komunal shpall gjendjen e krizës
30.06.2024 14:22
Pasojat nga reshjet e dendura të shiut e breshërit e të shoqëruara me erë të fortë....

Pasojat nga reshjet e dendura të shiut e breshërit e të shoqëruara me erë të fortë, që kapluan ditë më parë rajonin e Kumanovës dhe Likovës janë të ndjeshme dhe evidente. Dëmet e shumta si në bujqësi poashtu edhe në infrastrukturë kanë mbledhur Këshillin Komunal të komunës së Likovës me çka pas raportimeve dhe pas verifikimit të dëmeve kanë shpallur gjendjen e krizës.
Dëme të mëdha u evidentuan në kulturat bujqësore e që më të prekur ishin fshatrat Likova, Sllupçani, Hotla, Mateçi, Ropalca e Nikushtaku.
“Moti ka shkaktuar vërshime në të gjitha fshatrat thuajse dhe ato kanë bërë edhe dëme bujqësore dhe nëpër objektet private e publike. Kemi pas dëmtime të pronave private e publike, të gjitha të mbjellurat nëpër fusha janë të shkatërruara, bujqit kanë dorëzuar kërkesat e tyre. Kemi mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme të KKL-së me çka e kemi shpall gjendjen e krizës ku dhe presim që bashkë me qytetarët, komisioni për fatkeqësi natyrore ti përgatis raportet dhe të dorëzohen në qeveri. Nga numri i kërkesave deri ditën e mërkurë ishte mbi 200 kërkesa, por afati ka qenë deri të premten e 28 qershorit.”, thuhet në kumtesën e komunës së likovës.
Ndryshe, të reshurat fundit dëmtuan rëndë edhe disa shtëpi e biznese private në qytetin e Kumanovë, me çka detyruan autoritetet lokale të këtushme të aktivizojnë Shtabin Komunal për mbrojtje dhe shpëtim, me qëllim paraqitjen e dëmëve.
FATLUM AQIFI
