Botë
Francë dhe Zvicër, shtatë të vdekur nga moti i keq
30.06.2024 17:17
Valët ekstreme të të nxehtit e nga ana tjetër, reshjet e rrëmbyeshme të shiut po krijojnë peizazhe kaosi në të gjithë Evropën....

Stuhitë e fuqishme dhe shirat e rrëmbyeshëm që goditën Francën dhe Zvicrën gjatë kësaj fundjave kanë lënë të vdekur të paktën shtatë persona, thanë autoritetet.
Tre persona, në të 70-tat dhe 80-tat vdiqën në rajonin verilindor Aube në Francë të shtunën, kur një pemë u rrëzua mbi makinën me të cilën ata po udhëtonin, teksa shteti është goditur nga erëra të fuqishme. Pasagjeri i katërt është në gjendje kritike, thanë autoritetet.
Në Zvicër, dy persona vdiqën pas shirave të rrëmbyeshëm që shkaktuan rrëshqitje të dheut në juglindje të shtetit, në kantonin italianofolës të Ticinos, tha policia. Më pas autoritetet njoftuan se zbuluan edhe trupat e pajetë të dy personave. Sipas mediave lokale, dy nga viktimat ishin gra që ishin për pushime në Zvicër. Moti i keq po ashtu ka lënë disa zona pa energji elektrike në Zvicër.
Edhe në veri të Italisë, në Luginën Aosta, u raportua për vërshime të mëdha për shkak të lumenjve që dolën nga shtrati.
Ndërsa Greqia po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit, me termometrin që këtë të diel arriti 42 gradë Celsius. Një zjarrfikës vullnetar 55-vjeçar humbi jetën tragjikisht pasi 45 zjarre shpërthyen brenda disa orësh në javën që lamë pas, ndërsa zjarrfikësit vijojnë betejën me vatrat e zjarrit në disa qytete.
