Maqedoni
Taravari: Do të tejkalojmë gjendjen e sallave të operacionit
01.07.2024 14:10
Problemi i sallave të operimit ngadalë, por sigurt po bëhet një problem që i takon të së kaluarës...

Problemi i sallave të operimit ngadalë, por sigurt po bëhet një problem që i takon të së kaluarës, thotë ministri i ri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Ai në një brifing me gazetarët njoftoi se nga shërbimet e përgjithshme është njoftuar se tanimë është hapur tender për kompresorët të cilat nuk kanë punuar dhe e gjithë procedura e rregullimit dhe vendosjes së këtyre tubave në funksion do të përfundojë në muajin dhjetor. Brenda kohës, sipas ministrit Taravari, gjysma e kapaciteteve është në funksion, por po shikohet mundësia që një pjesë e operacioneve të kryhen edhe në spitalin “8 Shtatori” dhe në spitalin e qytetit. Ministri po ashtu theksoi se gjendja e sallave të operimit në përgjithësi është alarmante dhe do të shihen mundësitë që të intervenohet në rinovimin e tyre.
“Tash për tash gjysma e sallave aktuale aty funksionojnë dhe do të jemi në koordinim me drejtorët e rinj të spitalit të qytetit dhe të spitalit “8 Shtatori” të shohim mundësinë se a do të mundemi që një pjesë e operacioneve sidomos atyre urgjente, që kolegët nga Qendra Klinike të shkojnë dhe të operojnë edhe atje. Sallat kirurgjike në Qendrën Klinike këtu në Shkup janë në gjendje të mjerueshme, unë isha para një jave aty dhe vërtet ka nevojë që të intervenohet sa më shpejt. Në spitalin “8 Shtatori” nuk e di, por po marr informata se edhe andej nuk janë në gjendje të mirë sallat e operacionit. Prandaj do të insistoj që së paku këtu në Qendrën Klinike të fillojnë punimet, e bëjmë shpalljen, e pastaj të rinovohen sallat.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Taravari po ashtu foli edhe për specializimet privat, teksa shtoi se askund në botë nuk ka specializime private. Zgjidhja më e mirë, sipas tij është që atyre t’u jepen vendimet e punës dhe të ndërpritet procedura e specializimeve private. Taravari po ashtu theks të veçantë i ka kushtuar edhe ripërtëritjes së listës pozitive të medikamenteve, si dhe miratimin e ligjit për ilaçet, e cila parasheh cilësinë e qarkullimit të medikamenteve në vendin tonë, por edhe racionalizim në shfrytëzimin e tyre.
FITIM KRYEZIU
