Ekonomi
Rritja e çmimit të energjisë elektrike, Qytetarët: Edhe një goditje për xhepin tonë
01.07.2024 15:05
Nga sot deri në fund të vitit, faturat e konsumatorëve të energjisë elektrike në tregun e rregulluar...
Nga sot deri në fund të vitit, faturat e konsumatorëve të energjisë elektrike në tregun e rregulluar, pra të amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël, për shumicën e konsumatorëve do të jenë më të larta për 0.4 për qind. Kjo rritje, sipas qytetarëve të anketuar, nuk do të ketë ndikim të madh, por në përgjithësi janë kundër shtrenjtimeve, të cilët ndikojnë negativisht në xhepin e qytetarëve.
“Mendoj se nuk do të ndikojë shumë, për shkak se rritja nuk është shumë e madhe, është vetëm 0.4%.”, - tha një qytetar.
“Nuk është në rregull kjo rritje, por çfarë të bëjmë. Për mua nuk paraqet problem kjo rritje, mirëpo duhet të mendojmë edhe për ata të cilët nuk kanë për të paguar.”, - tha një qytetar tjetër.
Rritja minimale e rrymës nuk do të ndikojë që të ketë implikime shtesë për qytetarët, thonë ekspertët, por megjithatë ata thonë se çdo rritje nuk është e mirëpritur për standardin tonë.
“Çmimi është një kategori sociale dhe ekonomike, por popullata e Maqedonisë në përgjithësi është me të ardhura të ulëta dhe duhet shteti që të kujdeset që çmimi i energjisë elektrike të jetë i pranuar për ata dhe duhet t’i jepet rëndësi këtij aspekti, ndërsa kategoria e ekonomisë në këtë rast është në plan të dytë. Energjia elektrike është më e shtrenjtë në tregun e hapur dhe të rregulluar dhe vjen tek ne me çmim më të lartë, por shteti kohë pas kohe e subvencionon të njëjtën.”, - theksoi profesor universitar, Risto Ciconkov.
Ndryshe çmimi i energjisë elektrike për amvisëri nga 1 korriku në bllokun e parë mbetet i njëjtë, në bllokun e dytë ka rritje prej 0.85 për qind, në bllokun e tretë 1.92 për qind dhe në bllokun e katërt prej 1.88 për qind, ndërsa energjia elektrike e lirë do të rritet për 0.65 për qind. Me këtë 88% e konsumatorëve të cilët bëjnë pjesë në bllokun e parë dhe të dytë do të paguajnë për 0.4 % fatura më të larta.
GAZMEND KURTISHI