Kulturë

Ndahet nga jeta, Ismail Kadare, fjalë miradije nga politikanë e personalitete

01.07.2024 15:23

Për vdekjen e njërit ndër shkrimtarëve më të mëdhenj të kombit shqiptar, Ismail Kadare...

Për vdekjen e njërit ndër shkrimtarëve më të mëdhenj të kombit shqiptar, Ismail Kadare, kanë reaguar edhe personalitete dhe politikanë nga mbarë bota dhe vendi. Ata e përshkruajnë Kadarenë si një gjigant të letërsisë shqiptare, novelist me famë botërore. Me vdekjen e Kadaresë, shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave. Janë reagimet më të shpeshta që sot mund të lexosh në statuset e rrjeteve sociale.
 
Arben Taravari, pjesë e koalicionit VLEN, ka shkruar se sot nuk është vetëm Shqipëria në zi, por e gjithë bota, pasi Kadare ishte shkrimtar i të gjitha kohërave.
 
“Ka ndërruar jetë Ismail Kadare! Ai ishte shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave. Por, sot nuk janë në zi vetëm shqiptarët, sot e gjithë bota është në zi. Lamtumirë mjeshtër!”, shkruan Taravari. 
 
Edhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen e shkrimtarit të madh të letrës shqipe, Ismail Kadare. Ndryshe Kadareja ishte shpallur qytetar nderi i Tetovës në vitin 2022 nga ana Bilall Kasamit. "Prehu në paqe ikona e letërsisë shqiptare! Qytetar nderi i Tetovës, Ismail Kadare!". 
 
Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, përmes një postimi në profilin e tij në FB ka shkruar se me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta e njërit prej zërave më të fuqishëm të letërsisë shqiptare dhe botërore.
 
"Ai përben kupolën më të lartë të shkrimtarëve botërorë të kohës se sotme bashkë me Markezin, Ernesto Sabaton, Havelin, Orhan Pamukun, e ndonjë tjetër. Duhet ta theksojmë se, Kadareja arriti të kapërcente kufijtë kombëtarë, duke e vendosur letërsinë shqiptare në hartën globale të kulturës.", ka shkruar Mexhiti. 
 
Edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, përmes një postimi në profilin e tij në FB ka shprehur ngushëllime për humbjen e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.
 
“Gjeniu i letrave që i dha botës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, perla të pashoqe. Kadareja do të kujtohet gjithmonë për veprat e tij që prekën zemrat dhe mendjet e miliona njerëzve.", ka shkruar Ahmeti.
 
Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar që eksploroi historinë dhe kulturën e Ballkanit në poezi dhe letërsi artistike për më shumë se 60 vite, ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare.
 
FLORIJE KAMBERI