Kulturë

In-memoriam, ndërron jetë shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare

01.07.2024 15:55

Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare, u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare....

Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare, u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare. Zemra e tij pushoi në orën  08:50, në QSUT, pas një arresti kardiak. Një foto ku Kadare shfaqet duke pirë kafe, në një lokal të Tiranës, postuar në FB më 24 qershor, nga Bujar Hudhri në FB, tregon daljen e tij të fundit në publik. Botuesi Hudhri thotë se Ismail Kadare iku i përmbushur dhe i lumtur pa asnjë peng në rrugëtimin e jetës.
 
“Pengu më i madh i një shkrimtari është që të mos e nxjerrë veprën e tij. Në këtë pikëpamje, Kadareja nuk mund të kishte asnjë peng, sepse ai gjithçka që ka shkruar ia ka dhënë publikut shqiptar, lexuesit shqiptar. Si botues e kam pasur komoditetin që të kishim kohën e domosdoshme të nevojshme, që e gjithë vepra e tij të jetë në duart e lexuesit. Në këtë pikëpamje s’ka peng. Pengu është i ynë, sepse do të donim që një shkrimtar të madh si ai ta kishim mes nesh. Por, duke gjykuar që vepra letrare nuk ka kohë, kështu mund ta përfytyrojmë që Kadareja të jetë gjithmonë mes nesh.”, - deklaroi botuesi i Kadaresë, Bujar Hudhri.
 
Reagimet nga politika dhe arti ishin të shumta.
 
“Po e le këtë shënim ndaj Ismailit për monumentin fantastik që i ka ngritur gjuhës shqipe, duke ma bërë edhe më të madhe dashurinë për këtë gjuhë të hatashme, të cilën ne shqiptarët kemi fatin ta flasim e ta shkruajmë si gjuhë amtare.”, shkroi kryeministri, Rama.
 
Shqipëria humbi sot një gjeni, atë të letrave dhe emancipuesin e vet shpirtëror, shkroi presidenti, Bajram Begaj, për ndarjen nga jeta e Ismail Kadaresë.
 
Në reagimin shoqëruar me një foto bardhezi, kryeparlamentarja Lindita Nikolla thotë se Kadareja ngjiti letërsinë shqiptare në majat e asaj botërore.
 
Ngushëllime përcollën edhe aktorë të tjerë të politikës shqiptare.
 
Vitet e fundit Kadareja i ndau mes Francës dhe Shqipërisë. Lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm, Gjuhë dhe Letërsi në Tiranë, më pas dy vjet studime në Moskë në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki", Kadare është përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë dhe ka përkthyer në 45 gjuhë. Kadareja disa herë ka qenë kandidat për çmimin “Nobel” në Letërsi, së fundmi mori dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga Presidenti i Francës, Makron, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare. Autor i 71 veprave, ai shquhet kryesisht për prozë, por me kontribut edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Kadareja fitoi njohje ndërkombëtare që kur romani i tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua në vitin 1963 dhe Shqipëria qeverisej nga diktatori, Enver Hoxha. Nga viti 1994, ai është anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.
 
LULJETA NDOKA