Botë
Lufta në Rripin e Gazës, Netanjahu: Nuk ndalemi pa përmbushur qëllimet
01.07.2024 16:56
Protestat në Jerusalem kundër rekrutimit të hebrenjve ultra-ortodoksë në ushtrinë izraelite u shndërruan në protesta të dhunshme...

Protestat në Jerusalem kundër rekrutimit të hebrenjve ultra-ortodoksë në ushtrinë izraelite u shndërruan në protesta të dhunshme, me demonstruesit që sulmuan si oficerët e zbatimit të ligjit ashtu edhe veturën e një ministri. Protestuesit hodhën gurë ndaj oficerëve të policisë dhe veturës së ministrit, Jitzhak Goldknopf, ndërsa ai kthehej në shtëpinë e tij. Protestuesit gjithashtu i vunë flakën koshave të plehrave, duke bllokuar autostradën. Policia tha se duhej të përdorte forcën për të shpërndarë protestuesit, pasi urdhrat që ata të largoheshin u shpërfillën.
“Dhjetëra mijëra njerëz-protestues, deklarojnë pa mëdyshje se nuk janë të gatshëm t'i nënshtrohen ndonjë diktati.”, - tha një protestues.
Ndërkohë Izraeli vazhdon ofensivën ushtarake në të gjithë Rripin e Gazës. Kryeministri Benjamin Netanjahu thotë se nuk e ka në plan të ndalojë deri në përmbushjen e qëllimeve.
"Forcat tona po veprojnë në Rafah, në Shejaia, kudo në Rripin e Gazës. Çdo ditë ata po eliminojnë dhjetëra terroristë. Kjo është një luftë e vështirë që po zhvillohet mbi tokë, ndonjëherë në beteja ballë për ballë dhe po ashtu është duke u zhvilluar nën tokë. Për Izraelin dhe kthimin e sigurt të banorëve në jug dhe në veri në shtëpitë e tyre, kujtdo që dyshon në arritjen e atyre qëllimeve, unë përsëri i them: Nuk ka zëvendësim për fitoren.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Sulmet shkatërruese që lanë dhjetëra të vdekur dhe shumë të plagosur në shumë qytete, e kanë bërë të pasigurt gjithë Rripin e Gazës. Njerëzit enden sa në një zonë në tjetrën, për të kërkuar strehim.
“Kjo është hera e katërt që zhvendosemi nga një vend në një vend tjetër. Njërëzit largohen, i lënë fëmijët dhe gjësendet e tyre për të kërkuar strehim më të sigurt.”, - tha një banor i Gazës.
“Na thanë që është sigurt, por nuk ka siguri. Nuk kemi asnjë ide se ku duhet të shkojmë, nuk ka askund vende të sigurta.”, - u shpreh një banore e Gazës.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, janë vrarë 37.900 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra, ndërsa janë plagosur 86.969 persona të tjerë. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur, ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile, duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata.
FARIJE DAUTI BAKIJU
