Botë

Shkatërrimi i Gazës, Netanjahu: Arritje e madhe!

02.07.2024 13:21

Ushtria izraelite vazhdon bombardimet në të gjithë rripin e Gazës dhe ka paralajmëruar...

Ushtria izraelite vazhdon bombardimet në të gjithë rripin e Gazës dhe ka paralajmëruar se shënjestër e radhës është Spitali Evropian. Punonjësit e këtij spitali, që ndodhet në qytetin Kan Junis, filluan evakuimin e pacientëve, të plagosurve dhe të pajisjeve pas paralajmërimit të Izraelit për evakuimin e zonës në të cilën ndodhet spitali. Pacientët u transferuan në spitalin "Naser", pasi pritet të bombardohet përsëri kjo zonë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, vizitoi Rafahun dhe e quajti arritje lufte shkatërrimin e Gazës.
 
"U ktheva nga një turne në Divizionin e Gazës, pashë arritje të mëdha të luftimeve që po zhvilloheshin në Rafah. Ne po përparojmë dhe jemi në fund të fazës së eliminimit të ushtrisë terroriste të Hamasit dhe do të ketë një vazhdimësi për të goditur mbetjet e saj gjithashtu për të eliminuar aftësitë qeveritare dhe ushtarake të Hamasit.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
 
Shumica e izraelitëve janë kundër politikave të Netanjahut. Mijëra izraelitë dhe palestinezë morën pjesë në një konferencë paqeje në Tel Aviv në atë që përshkruhet si tubimi i parë i këtij lloji kundër luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Të pranishmit mbanin tabela ku shkruhej "Së bashku do të fitojmë!", ku përfshihej Ylli i Davidit së bashku me gjysmëhënën, e cila është një simbol për Islamin. Edhe ushtria Izraelite ka filluar të mos i zbatojë urdhrat e Netanjahut, duke liruar disa pengje, në mesin e tyre edhe drejtorin e spitalit “Al-Shifa”.
 
"Ne lamë pas shumë të burgosur të tjerë, dhjetëra mijëra që jetojnë në kushte të vështira, duke përjetuar tortura psikologjike dhe fizike. Asnjë i burgosur palestinez nuk ka përjetuar kushte të tilla që nga Nakba e vitit 1948.”, - theksoi drejtori i spitalit “Al-Shifa”, Mohamed Abu Salmija.
 
“Gëzimi ynë nuk është i plotë, pasi kujtojmë kolegët tanë që humbën jetën brenda burgjeve.”, - u shpreh nënsekretari i ministrit të Shëndetësisë, Jusef Abu Al-Rish.
 
"Unë jam 73 vjeç dhe ushtria izraelite më mbajti për 150 ditë pranë shkollës “Al-Aëda”. Më çuan në postbllokun ku një oficer më tha: “Eja ti me mjekër të bardhë. Unë iu afrova dhe ai më urdhëroi të zhvishesha lakuriq dhe mbeta pa rroba.”, - tha një i arrestuar.
 
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka urdhëruar një hetim për lirimin e drejtorit të spitalit “Al-Shifa”. Netanjahu e përshkroi lirimin e Dr. Mohamad Abu Salmija si "një gabim i rëndë dhe një dështim etik". Ai gjithashtu tha se Abu Salmija "përket në burg", duke e akuzuar atë si përgjegjës për "mbajtjen dhe vrasjen" e robërve izraelitë në Gazë edhe pse ushtria izraelite nuk ka prova për këtë akuzë. Abu Salmija u arrestua më 23 nëntor së bashku me disa persona të tjerë nga stafi mjekësor derisa udhëtonte nga qyteti i Gazës në jug të enklavës pas një bastisjeje izraelite në spital. Izraeli liroi Abu Salmijan dhe rreth 54 palestinezë, përfshirë mjekë që u ndaluan nga spitali “Al-Shifa” dhe objekte të tjera mjekësore gjatë operacioneve ushtarake gjatë muajve të fundit.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU