Zgjedhjet në LSDM, Despotovski: Pse anëtarëve nuk iu dha e drejta e votës?

02.07.2024 15:24

Dy ditë pas zgjedhjeve të brendshme partiake në LSDM...

Dy ditë pas zgjedhjeve të brendshme partiake në LSDM, ku për kryetar u zgjodh Venko Filipçe, kandidati Jovan Despotovski hedh dyshim se procesi zgjedhor nuk ka qenë i rregullt, sepse disa mijëra anëtarë të LSDM-së nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e votës. 

Ai nuk ka paraqitur asnjë ankesë, sepse komisioni ka mbyllur  zgjedhjet. Kjo situatë duhet të hiqet, në mënyrë që LSDM-ja të mbetet parti e fortë opozitare, vlerëson Despotovski.

“Unë ngelem në çështjet që i parashtrova dhe do të insistoj që këto çështje të marrin përgjigje. Pse çdo i dyti, pra nuk është çdo i dhjeti, por çdo i dyti që në këto 25 ditët e fundit ka harxhuar një pjesë të kohës dhe në 40 gradë Celsius ka shkuar tek komuna dhe ka dorëzuar kërkesë ose është regjistruar në internet që të votojë, nuk ka votuar, gjegjësisht nuk ka shkuar ose ndoshta ka shkuar për të votuar, por e kanë kthyer mbrapa. Pra, çdo i dyti. Dhe, nëse duam të flasim për një proces të rregullt, së pari kjo çështje duhet të sqarohet.”, - deklaroi Jovan Despotovski nga LSDM-ja.

Memov: Lëvizja “E di” ka hapur dyert për anëtarët e LSDM-së

Lëvizja “E di” beson se LSDM-ja ka zgjedhur një kryetar të vjetër-të ri të partisë. Sipas tyre, Filipçe është krah i zgjatur i klanit të Zaevit dhe pretendojnë se kryetar i partisë është sërish ish-lideri, Zoran Zaev.

“Zgjedhjet e brendshme partiake të LSDM-së tregojnë se në çfarë situate gjendet LSDM-ja. Është një gjendje dëshpërimi, mosmarrëveshjeje, mashtrimi, hipokrizie dhe mungesë idesh.”, - theksoi zëdhënësi i Lëvizjes “E di”, Nikolla Memov.

Ai shtoi se Lëvizja “E di” ka hapur dyert për të gjithë anëtarët e LSDM-së, që duan të largohen nga partia. Kryetari i ri i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzat se procesi zgjedhor në parti ka qenë jolegjitim i vlerëson si të pasakta dhe nënvlerësim të anëtarëve të LSDM-së. (Sanje DurakU, TVM2)