Maqedoni
Era e fortë në Shkup, pëson një grua nga rënia e një peme
02.07.2024 15:58
Era e fortë në Shkup ka bërë që të rrëzohet një dru afër “Universitetit Evropian”...

Era e fortë në Shkup ka bërë që të rrëzohet një dru afër “Universitetit Evropian”. Druri i rrëzuar ka rënë mbi një grua. Në terren kanë intervenuar zjarrfikësit, të cilët kanë arritur ta largojnë drurin dhe me ndihmë të shpejtë gruaja është dërguar në spital gjendja e së cilës raportohet të jetë stabile. Ndërkohë, moti i rëndë ka shkaktuar edhe dëme materiale nëpër qytet.
“Më telefonoi vajza dhe më tha se dikush i kishte treguar se në afërsinë tonë ka rënë një dru dhe dola ta shoh. E pash se druri kishte rënë mbi veturën time dhe fillova rastin ta paraqes në polici. Me sa morra informata, edhe një vajzë e mitur ishte lënduar, por unë nuk e kam parë.”, - tha një qytetare.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza raportojnë për dëmet e paraqitura në këtë institucion.
“Sipas bilancit të deritanishëm nga informacionet e marra në numrin 112 janë si vijon: janë rrëzuar 16 drunj, 3 automjete të dëmtuara, 7 kabllo të shkëputura nga shtylla, 3 kulme të dëmtuara dhe një paraqitje për person të lënduar, konkretisht për një grua të cilën e zuri druri.”, - deklaroi Ilija Bojarovski nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Ndërsa nga Enti Hidrometereologjik bëjnë me dije se të reshurat pritet të vazhdojnë.
“Gjatë orës së pasdites, në disa vende presim që moti të jetë jo stabil, me të reshura, erëra të fuqishme dhe me bubullimë dhe të njëjtat do të na shoqërojnë për një kohë të shkurtër. Ndërsa erërat do të arrijnë shpejtësinë e 70 kilometrave në orë. Ky mot do të na shoqërojë gjatë orëve të vona, ndërsa gjatë orëve të para të paradites presim stabilizim të kohës.”, - theksoi Julijana Fidanovska nga Enti Hidrometeoroogjik.
Nga moti i keq dhe shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të mëparshme janë shkaktuar edhe dëme të tjera në të mbjella dhe dëme materiale, kryesisht çatitë e shtëpive.
