Maqedoni
Riorganizimi i institucioneve shëndetësore, Qeveria shfuqizoi drejtorët ekonomik
02.07.2024 16:18
Qeveria po shqyrton shfuqizimin e drejtorëve ekonomik në institucionet publike shëndetësore me mbi 1.000 punonjës...

Qeveria shfuqizoi drejtorët ekonomik të klinikave. Bëhet fjalë për institucione shëndetësore me mbi 1.000 punonjës, sikurse qendrat klinike universitare, klinikat universitare, spitalet klinike dhe institutet. Tani e tutje këto institucione do t’i drejtojë vetëm një drejtor, i cili do të jetë përgjegjës për organizimin dhe funksionimin e institucionit, si dhe për ligjshmërinë e punës.
“Me këtë reformë, Qeveria shpreson të përmirësojë kushtet dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke mundësuar transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në punën e institucioneve shëndetësore.”, thuhet në komunikatën zyrtare të Qeverisë.
Për kryeministrin Hristijan Mickoski, masa jo vetëm do të rrisë efikasitetin në punën e shtëpive të shëndetit, por do të ulë shpenzimet, ndërkaq paratë do të destinohen për shërbime më të mira shëndetësore. Për pagat e drejtorëve ekonomik në nivel vjetor, Qeveria ka ndarë më shumë se gjysmë milion euro.
“Ndryshimet e reja parashikojnë menaxhimin e institucioneve shëndetësore nga një drejtor. Besoj se kjo reformë do të mundësojë destinim të fondeve për shërbime më të larta shëndetësore, si dhe rritje të transparencës.”, ka shkruar Mickoski në profilin e tij në fejsbuk.
Njëkohësisht në seancë u vendos për emërimin e personelit drejtues të pesë institucioneve shtetërore. Goce Dimovski është emëruar drejtor ekzekutiv i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale; Aleksandar Pandov, drejtor i Administratës për Ekzekutim të Sanksioneve; Sasho Klekovski, kryeshef ekzekutiv i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore; Oliver Milanov në krye të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërsa Zdravko Trajanov për kryetar ekzekutiv të “Pyjeve Kombëtare”.
MERAL ISMAILI
