Kulturë
Shqipëria në zi kombëtare për nder të shkrimtarit, Kadare
02.07.2024 16:30
Flamujt shtetërorë dhe publikë janë ulur gjysmështizë....
Flamujt shtetërorë dhe publikë janë ulur gjysmështizë. Shqipëria është në zi kombëtare sot dhe nesër për nder të shkrimtarit, Ismail Kadare. Qeveria shpalli datën 2 dhe 3 korrik, ditë zie kombëtare.
Në zi, nesër është edhe Kosova. Homazheve në Tiranë veç presidentes Vjosa Osmani, do t’i bashkohet edhe kryeministri, Albin Kurti. Të dy një ditë më parë shprehën ngushëllime. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm Kadaresë, shkroi Kurti. Në qershor të vitit të kaluar, Kosova e ka dekoruar Kadarenë me urdhrin “Hasan Prishtina”, ndërsa, në gusht, presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Nesër, pas homazheve në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga ora 09.00-11.00 dhe 11:30 deri në 12:30, Kadareja do të përcillet për në banesën e fundit. Për mbarëvajtjen e ceremonisë shtetërore është ngritur një komision i posaçëm, nën mbikëqyrjen e kryeministrit Rama, pjesë e të cilit do të jenë 3 ministra, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i Policisë së Shtetit, komandanti i Gardës, por dhe përfaqësues të kabinetit kryeministror. Në orën 13:00, të 3 korrikut do të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje. RTSh-ja do të transmetojë muzikë funebre. Në nderim të figurës së shkrimtarit, të pranishëm do të jenë diplomatë edhe emra të shquar nga bota.
Ismail Kadare disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut. Ai pësoi arrest kardio-respirator në shtëpinë e tij dhe vdiq në QSUT. Kadareja la pas dhjetëra vepra, kryesisht në prozë, por edhe në poezi dhe përkthime, të shkruara shumicën e tyre nën hijen e diktatorit, Enver Hoxha.
LULJETA NDOKA