Botë
Moti i lig në Kroaci shkakton dëme të konsiderueshme materiale
02.07.2024 16:56
Breshër me madhësi sa topat e tenisit, erëra të fuqishme dhe të reshurat e shiut që s’kishin të ndalur...

Breshër me madhësi sa topat e tenisit, erëra të fuqishme dhe të reshurat e shiut që s’kishin të ndalur, kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke dëmtuar çatitë e shtëpive dhe ndërtesave dhe duke shkaktuar dëme të mëdha edhe tek një numër i madh i veturave në pjesën lindore të Kroacisë. Më së shumti dëmet i ka ndjerë pjesa e Zhupanjas, ku nga moti i ligë, në ketë pjesë të Kroacisë, xhirimet flasin dhe japin ndjenjën e një gjendjeje lufte.
Gjithandej mund të shihen drunj të shkëputur nga erërat e fuqishme, largimi nga vendi i përcaktuar i shenjave të komunikacionit, ndërsa banorët e kësaj ane kanë bërë plot 300 thirrje telefonike drejt Qendrës së Zjarrfikësve, për shkak se vetëtimat kishin goditur shtëpitë e tyre. Autoritetet kroate kanë thënë se janë duke i ndërmarrë të gjitha masat, për t’u dalë në ndihmë qytetarëve, por nga ky mot i ligë nuk mund të përjashtohet edhe Zagrebi.
“Edhe vet jemi angazhuar dhe kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm. Për fat të keq, Qeveria e Kroacisë mund të konstatojë se kjo në vazhdimësi po na ndodhë gjatë kohës së verës. Në këtë pjesë të qytetit, nëse e shikojmë gjendjen aktuale, mund të themi se vërtet kjo gjendje të ngjanë shumë nga ajo koha e luftës.”, - deklaroi zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit, Josip Dabro.
Stuhia e supercelulave goditi edhe Serbinë. Shi i rrëmbyeshëm, bubullima, breshër dhe rënie e temperaturës prej 20 gradë Celsius. Ndërsa në Beograd u shënuan përmbytje, ranë 55 litra shi për metër katror, sasia e zakonshme për një muaj të tërë në periudhat e verës. Disa linja autobusësh u ndaluan për shkak të rrugëve të përmbytura.
Edhe në Greqi, moti i paqëndrueshëm ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi, ashtu si në të gjithë Ballkanin. Shiu është i mirëpritur për shkak të numrit të madh të zjarreve në fqinjin jugor. Megjithatë, elementet shkatërrojnë ishujt, veçanërisht në arkipelagun e Cyclades, në jug të Athinës. Me 6 avionë dhe dy helikopterë dhe oficerë të mbrojtjes civile po shuajnë zjarret, ku si pasojë ka edhe zjarrfikës të lënduar, ndërsa turistët po largohen nga ishulli.
FITIM KRYEZIU
