Maqedoni
S’do të zbatohet koncepti i ri për arsim fillor, klasat e 7-ta, 8-ta dhe të 9-ta mësojnë me programin e vjetër
03.07.2024 14:14
Nxënësit e klasës së shtatë nga shtatori do të mësojnë me programin e vjetër...

Nxënësit e klasës së shtatë nga shtatori do të mësojnë me programin e vjetër, sepse nuk janë shtypur librat për klasën e shtatë konform konceptit të ri për arsimimin fillor. Këtë e konfirmoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, e cila shtoi se një pjesë prej librave nuk janë miratuar dhe nuk kanë kaluar recensionin, duke demantuar ish-ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, se të gjithë nxënësit nga shtatori do t’i kenë librat e nevojshëm. Koncepti i ri nuk do të miratohet as për filloristët e klasës së 8 dhe të 9, por për tejkalimin e kësaj situate po bisedohet me Byronë për Zhvillimin e Arsimit që të zgjidhet ky problem.
“Edhe sikur të kishim shkop magjik, ne si Qeveri deri në shtator nuk do të mundemi të arrijmë të sigurojmë libra për klasën e shtatë. Nxënësit edhe këtë vit do të mësojnë nga librat nga të cilat është mësuar me atë që duhet të shqyrtohet se a u përgjigjen këto libra programeve mësimore. Nëse zgjidhja ligjore nuk lejon ndryshime, ne do ta prolongojmë konceptin që nxënësit për klasën e 7, 8 dhe 9 të kenë në dispozicion librat.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Mësimi në gjuhën shqipe në Çashkë, Janevska: Nga shtatori, nëse ofrohen kushte adekuate
Mësimi në gjuhën shqipe në komunën e Çashkës do të zhvillohet nga shtatori nëse për nxënësit ofrohen kushte adekuate, theksoi ministrja e Arsimit, Janevska, në pyetjen se a ka diskriminim në rastin e shkollës “Todori Janev” në Çashkë, ku vitin e kaluar shkollor pati protesta të prindërve. Ministrja theksoi se të drejtat e qytetarëve do të respektohen me ligj, por zgjidhja më e përshtatshme, tha ajo, do të kërkohet pasi të mblidhet dhe shqyrtohet dokumentacioni për rastin konkret.
“Drejtoresha në atë kohë ka bërë shumë shkelje dhe prej aty është arritur një marrëveshje për të cilën nuk ka asnjë dokument në Ministrinë e Arsimit, prandaj tani po kërkojmë nga komuna që të shihet se çfarë ka ndodhur në atë marrëveshje të nënshkruar nga ministri, përfaqësues nga prindërit dhe më duket edhe nga kryetari i bashkisë. Pra, të drejtat e të gjithë qytetarëve në këtë vend do të respektohen me ligj. Se cilat do të jenë implikimet fiskale të zgjidhjes së këtij problemi nuk mund t'ju them për momentin, sepse jemi duke mbledhur dokumentacionin.”, - theksoi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Vitin e kaluar shkollor pati tensione në shkollën fillore "Todor Janev" në Çashkë dhe protesta disa mujore të prindërve të cilët nuk i lejuan fëmijët shqiptarë të mësojnë në gjuhën amtare, sepse pas rajonizimit në këtë shkollë mësohet vetëm në gjuhën maqedonase.
FLUTURA latifi
